Italia voton: Deri më tani pjesëmarrje e ulët, mund të votojnë më pak sesa në vitin 2018
Rreth 51 milionë italianë, mes të cilëve gati 5 milionë italianë të diasporës, votojnë sot për të zgjedhur qeverinë e 31 dhe Kryeministrin e 68 të Republikës Italiane.
Pjesëmarrja e ulët në votime është një nga preokupimet e zgjedhjeve të 25 shtatorit 2022, e sipas sondazheve të fundit mund të jenë rreth 1/3 e italianëve që do të zgjedhin të mos votojnë.
Ora 12.00 - Sipas ministrisë së brendshme italiane pjesëmarrja në votime është 19.08%. Në të njëjtën fashë orari më 2018 pjesëmarrja në votime qe 19.52%.
Në Romë ka votuar Enrico Letta lider i Partisë Demokratike e po ashtu dhe në Milano Matteo Salvini, i Lidhjes.
Ndërsa në Palermo në Sicili, ku votohet dhe për zgjedhjen e Guvernatorit ka hedhur votën e tij kreu i shteti Sergio Mattarella.
Në zgjedhjet e fundit të 2018 ishin 12.8 milionë italianë që nuk votuan e shqetësimi i politikës është se zgjedhjet e 25 shtatorit mund të shkojnë dhe më keq.
Votohet për herë të parë me ligjin e ri Rosatellum bazuar në një sistem elektoral të përzier, ku 37 % e vendeve në Senat (74) e në Dhomën e Deputetëve (147 deputetë) përcaktohen nga sistemi proporcional e 61% nga sistemi mazhoritar (245 deputetë e 122 senatorë) e 2% (8 deputetë e senatorë) për italianët jashtë kufijve.
Ligji i ri kushtetuese ka reformuar dhe hartën elektorale kombëtare duke e ndarë në 20 qarqe për Senatin e 28 qarqe për Dhomën e Deputetëve. Ndërsa për italianët jashtë kufijve qarqet e tyre janë 4; Europa, Amerika e Jugut, Amerika e Veriut e Qendrore, Afrika, Azia, Oqeania e Antarktida.
Italianët në diasporë votojnë për korrespondencë e kanë marrë në dorëzim skedat e tyre elektorale që i kanë dorëzuar pranë zyrave konsullore brenda datës 22 shtator.
