Cikalleshi dhe Veseli besojnë te forca e grupit dhe jo individët (VIDEO)
Lojtarët e radhës që u prezantuan në konferencën e shtypit të Kombëtrares Shqiptare, Sokol Cikalleshi dhe Frederik Veseli vunë theksin te shkalla e lartë e vështirësisë në ndeshjen e radhës. Kundër Izraelit, skuadra kërkon tre pikë dhe dy futbollistët kuqezi besojnë te ky objektiv;
Sokol Cikalleshi
“Problemi i ndeshjes së fundit ishte se kemi bërë gabime që edhe mund të evitoheshin. Kemi bërë analiza edhe me video që mund edhe t’i përmirësojmë. Kundërshtari është i vështirë, duhet të mos pësojmë gol dhe me aftësitë që kemi përpara të marrim tre pikët. Po punojmë për aspektin e golave. Po bëjmë mirë për momentin edhe pse grupi nuk është i plotë. Më mirë është të luash me dy sulmues sepse mundësia e shënimit është më e madhe. Më e rëndësishme për mua është harmonia me njëri-tjetrin sepse na dërgon te rezultatet pozitive”.
Frederik Veseli
“Kundër Izraelit në shtëpi kemi bërë një ndeshje të mirë. Në analizat që kemi bërë, gabimet individuale kanë qenë në theksin tonë. Izraeli nuk ka bërë ndonjë gjë të madhe për të fituar dhe humbja ka ardhur nga ne. Secili lojtar duhet të marrë përgjegjësitë e veta. Gjimshiti dhe Kumbulla janë mungesa të rëndësishme por pavarësisht kësaj, ne nuk do t’i japim rëndësi individëve, por grupit”.
