Kukësi dënon goditjen e lojtarit të Partizanit: Përgjegjësi përpara ligjit!
Kukësi reagon zyrtarisht për goditjen me shishe të sulmuesit të Partizanit, Tedi Cara, i cili u dëmtua në fytyrë gjatë festës së golit të shënuar në ndeshjen Kukësi-Patizani.
Komunikata e plotë e klubit verilindor;
"FK Kukësi dënon ashpër ngjarjen e ndodhur sot në "Kukës Arena", aty ku tifozët tonë goditën sulmuesin e Partizanit, Tedi Cara i cili pësoi dëmtim të konsiderueshëm në kokë. Klubi i Kukësit distancohet nga kjo ngjarje e turpshme e tifozerisë dhe i kërkon falje sulmuesit Cara dhe klubit të Partizanit e njëkohësisht i uron shërim të shpejtë lojtarit.
Futbolli është një sport për të bashkuar dhe në një qytet si Kukësi që karakteristikën kryesore ka mikëpritjen, sjellje të tilla nuk kanë hije.
Klubi i Kukësit i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe autoriteteve kompetente duke iu ardhur në ndihmë me pamjet filmike të stadiumit që të japin dënimin sipas ligjeve për autorin e këtij incidenti".
