Asllani optimist për Kombëtaren dhe të ardhmen te Interi, Gjasula kërkon 3 pikët në Izrael (VIDEO)

Në konferencën e shtypit nga qëndra stërvitore e Kombëtares në Durrës, Kristjan Asllani foli me nota optimiste për të të ardhmen e skuadrës kuqezi por edhe ecurinë e tij te Interi ku u transferua këtë merkato verore.

“Me Izraelin kemi luajtur. Është një skuadër shumë e fortë sepse ka lojtarë shumë të shpejtë. Besoj se kemi shumë shanse për ta fituar këtë ndeshje dhe duhet të mendojmë vetëm për tre pikët. Inter? Nuk kam luajtur sepse është normale, jam 20 vjeç. Duhet të kem durim dhe kam përpara një lojtar shumë të fortë si Brozoviç dhe po mësoj shumë nga ai. Kam kaluar nga një ekip i vogël si Empoli, ku kam qëndruar për 12 vite, te një ekip i madh si Interi. Është presion i madh e di. Kur jam me Kombëtaren mendoj për Kombëtaren. Të shikoj kur të kthehem, nuk e di çfarë do të bëhet. Unë stërvitem mirë, jam profesionist dhe kur të më jepet shansi unë do të luaj”, deklaroi mesfushori.

Në konferencë foli edhe mesfushori tjetër, Klaus Gjasula, sipas të cilit, skuadra duhet të marrë pikë në Izrael.

“Do të japim maksimumin që të marrim tre pikë në Izrael. Ne kemi disa mungesa edhe ata kanë problemet e tyre. Shumë djem të rinj kanë ardhur, por ne kemi kualitetet për të arritur te suksesi. Duhet të shohim ekipin tonë dhe nëse shohim veten tonë, jam i sigurt që do t’ia dalim.

Ne e dimë që është shumë e rëndësishme dhe prandaj duhet të kemi vëmendjen totale te Izraeli dhe më pas të provojmë që të fitojmë ndaj Islandës”.