Goditi futbollistin e Partizanit me shishe, policia shpall në kërkim 47-vjeçarin
Policia ka shpallur në kërkim një 47-vjeçar për ngjarjen e shëmtuar të Kukësit ku Tedi Cara u dëmtua me një shishe uji teksa po festonte golin e avantazhit në ndeshjen e javës së pestë të Kategorisë Superiore, Kukësi-Partizani. Nëpërmjet një komunikate zyrtare, policia e qytetit verilindor bën me dije se është identifikuar personi që shkaktoi ngjarjen dhe bëhet fjalë për një shtetas me inicialet A.E, duke theksuar se ai është shpallur në kërkim.
“U referuan në Prokurori dhe shpall në kërkim, për veprën penale “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit dhe ndërmjetësit sportiv", shtetasin A. E., 47 vjeç, banues në Kukës, pasi gjatë ndeshjes së futbollit “Kukësi-Partizani”, të zhvilluar më datë 19.09.2022, në stadiumin “Kukës Arena”, ka hedhur një send të fortë (shishe me ujë të ngrirë) në fushë që ka goditur njërin nga futbollistët, shtetasin T. C. Vijon puna për kapjen e tij”, theksohet në komunikatë.
Ditën e djeshme, pak orë pas ngjarjes edhe vetë klubi i Kukësit kërkoi vendosjen e përgjegjësit përpara drejtësisë, duke theksuar se i janë dorëzuar policisë të gjitha materialet filmike për identifikimin e tij.

