Makina me 14 emigrantë bllokohet në Vorë, në pranga 19-vjeçari kuksian, në kërkim bashkëpunëtori
Goditet një tjetër rast i trafikimit të emigrantëve. Policia e Tiranës ka arrestuar një 19-vjeçar, banues në Morinë, i cili po transportonte me automjetin e 14 emigrantë. Në kërkim u shpall bashkëpunëtori i i tij, shtetasi A. I., 18 vjeç.
"Shtetasi E. K. është kapur në flagrancë nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në Vorë, duke transportuar me një automjet, 14 emigrantë, të cilëve, kundrejt shpërblimit monetar, iu kishte premtuar transportimin nga kufiri grek në drejtim të veriut të Shqipërisë, me qëllim kalimin e tyre në pikat kufitare, me destinacion final vendet e BE-së. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se i implikuar në këtë veprimtari kriminale është dhe shtetasi A. I. Vijon puna për kapjen e tij" njoftoi policia.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht 14 emigrantët e paligjshëm, për veprën penale "Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror".
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna hetimore për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
