Rama: Të gjithë në PD i vendosën gjoksin financimeve të Moskës. Berisha shenjtan, Meta hall i madh

Kreu i qeverisë shqiptare është i bindur që nga paratë ruse është joshur vetëm Partia Demokratike ndërsa partia e tij është jashtë kësaj skemë. Për Edi Ramën në këto financime nuk është i përfshirë vetëm Lulzim Basha por edhe Sali Berisha, i cili 4 vite më parë i quante akuzat e PS si trillime. Sipas kryeministrit as drejtësia shqiptare nuk e ka bërë siç duhet punen e saj duke i shkuar deri në fund kësaj çështje për të cilën SHBA ka vënë alarmin për kërcënimin e demokracisë.

“Topin” e parave ruse kryeministri Edi Rama e ka lënë vetëm në derën e Partisë Demokratike, pasi ai mohon që partia e tij të jetë joshur nga Moska zyrtare.

Gjatë një bashkëbisedimi online me gazetarët sot Rama tha se partia e tij e ka denoncuar publikisht 4 vite më parë Partinë demokratike për përfshirjen e opozitës në financimet ruse, pavarësisht që sipas tij drejtësia nuk ka reaguar siç duhet.

Edi Rama:Partia Socialiste financime ruse? !  Nga? Financimi rus i Partisë Demokratike është denoncuar nga Partia Socialiste e Shqipërisë. Drejtësia e ka trajtuar këtë çështje dhe nuk i ka dhënë kurrë përgjigje. 

Edi Rama mendon se paratë ruse nuk i ka marrë vetëm Lulzim Basha, por në to është i përfshirë edhe Sali Berisha. Ndërsa nuk pranon akuzat e kryetarit të pd që me dosjen Muzin ka mbajtur peng Bashën.

Edi Rama: “Partia Demokratike ka qenë një e tërë dhe financimeve ruse ja kanë vënë gjoksin të gjithë. A nuk e keni dëgjuar ju nga të gjithë ata që sot po na dalin më antirus se vetë amerikanët që nuk ka financime ruse, që ky është një trillim. A e keni dëgjuar ju që ambasadori amerikan, paraardhësi ju ka vajtur dhe ju ka vënë dosjen përpara dhe këta i kanë dhënë përgjigje që ky është trillim. A nuk është i njejti që i vuri gjoksin dhe e mbrojti me pathos Lulzim Bashën? Ku hyj unë tani? Ku është dora ime në këtë mes?

Ashtu siç ndodhi me rastin e Dakos vite më parë, Rama nuk i hedh poshtë miqtë e tij, pavarësisht se janë në hetim nga SHBA. Kryeministri e pranon miqësinë me ish-agjentin e FB-së i cili është nën hetim për lidhje me Rusinë, por nuk e pranon që kjo të lidhet me qeverinë që ai drejton.

Edi Rama: Shefi kundër terrorit I FBI-së ka qenë dhe është miku im nuk diskutohet. Lëreni të flasë drejtësia në SHBA. 

Mazhoranca e ka izoluar politikisht Sali Berishën, ndërsa synon që ta menjanojë nga skena edhe ish-Presidentin Ilir Meta me ligjin e ish-spiunënëve.

Edi Rama: Zotëria është një hall i madh i Shqipërisë prej kohësh tanimë e nuk është sot por jo i imi, jo i yni, në kuptimin e interesit politik.

Kryeministri e pranoi publikisht që nuk ka besim te drejtësia, madje duke e akuzuar për përfshirje në korrupsion.

Edi Rama: Këta që ndërtojnë pa leje për të shitur këta e blejnë prokurorin, këta e blejnë gjykatësin dhe përballë këtyre policia dhe qeveria është e pafuqishme.

Qeveria e Ramës do të testojë për tre muaj fashën e re të pagesës për 800 kë/h, ndërsa paralajmëroi se çmimi prej 42 lekësh mund edhe të rritet.

Pavarësisht se disa shërbime janë pezulluar Edi Rama ende kërkon të bindë qytetarët që agresioni kibernetik i iranit nuk ja ka arritur qëllimit të shkatërrojë të dhënat e sistemeve të prekura.