Rama në pastrimin e parave të Sinaloas? PD nxjerr foton e Luftar Hysajt e Dorian Duçkës duke dalë nga Kryeministria
Partia Demokratike denoncon skandalin e pastrimit të parave në Shqipëri nga karteli gjakatar meksikan i Sinaloas. Selia blu publikoi pamjet kur Luftar Hysa, një prej katër vëllezërve shqiptarë që pastrojnë paratë e kartelit gjakatar Sinaloa sipas shtypit meksikan, dalin nga godina e Kryeministrisë pas një takimi me shefin e qeverisë Edi Rama.
Karteli meksikan i Sinaloas pastron paratë në Shqipëri përmes lidhjeve të vëllezërve Hysaj me Edi Ramën dhe Taulant Ballën.
Për të faktuar këtë dhe ndërsa iu referua shkrimeve në shtypin meksikan, nënkryetari i PD-së Luçiano Boçi publikoi foto duke dalë nga Kryeministria të Luftar Hysajt, një prej katër vëllezërve shqiptarë që pastrojnë paratë e kartelit gjakatar Sinaloa, sipas shtypit meksikan.
Boçi sqaroi se në foto është edhe njeriu i afërt i Ramës në punë të dyshimta, Dorian Duçka.
Boçi: Për ata që nuk i kanë ndjekur lajmet, media botërore ka raportuar së fundmi se karteli i Sinaloas i pastron paratë e narkotrafikut në Shqipëri. Aty përmenden emrat e vëllezëve Hysa që i ndihmojnë kriminelët meksikanë. Njëri prej vëllezërve shfaqet në foton që ju treguam duke dalë nga Kryeministria.
Ekspertët e krimit dhe të sigurisë theksojnë një gjë: kartelet meksikane nuk lëvizin asnjëherë në territore të reja, pa fituar më parë mbështetje politike. Çfarë dëshmon kjo? Asgjë më pak se atë që Partia Demokratike e ka bërë refren të ligjërimit: Edi Rama dhe ministrat e tij e kanë kthyer qeverinë e Republikës në krah politik të krimit të organizuar.
Me këtë foto, tha Boçi, Edi Rama e vulos emrin e vet si komisari politik i grupeve kriminale nga Meksika në Shqipëri.
Boçi: Me këtë foto shqiptarët kuptojnë se ekonomia e ndërtimit, e kazinove, e turizmit, që propogandohet nga kryeministri si sukses, është, jo vetëm kështjellë në hava, sepse nuk mbështetet në tregues dhe faktorë realë ekonomikë, por ka edhe themele kriminale.
Fakti që kanë mbërritur në zyrën e kryeministrit, janë gozhda e fundit mbi qivurin e një pushteti që është kthyer në rrezik për Shqipërinë. Rama dhe shpura e tij nuk na qeverisin. Ata vetëm sa ndërmjetësojnë me grabitqarët e të gjitha llojeve pasuritë publike të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Partia Demokratike teksa dënon me forcë kriminalizimin e shtetit i bëri thirrje SPAK-ut, por edhe partnerëve të huaj të vihen në lëvizje.
Boçi: Indiciet janë tashmë të forta dhe të certifikuara, dhe vijnë nga të katër anët: nga Amerika e Veriut dhe e Jugut, nga parajsat fiskale dhe ‘republikat banane’, dhe përplasen në portin e Durrësit dhe në Tiranë.
Nënkryetari i demokratëve u shpreh se është misioni i të gjithëve, që të largohet sa më parë ky Kryeministër dhe kjo qeveri përmes protestave dhe votës së lirë.
