Sulmi kibernetik i Iranit, Berisha: SHBA e NATO të ndërhyjnë me emergjencë. Kujton udhëtimet e Erion Veliajt në Teheran
Kryetari i PD-së Sali Berisha i bën thirrje NATO-s e SHBA-së që me një ekip të gjithanshëm, të ndihmojnë Shqipërinë për të kapërcyer agresionin kibernetik, duke shqyrtuar të gjithë situatën e sistemeve dixhitale në Shqipëri.
Në konferencën e sotme për median Berisha akuzoi Ramën se shkatërroi mbrojtjen kibernetike sa erdhi në pushtet.
“Ishte një njësi që paguhej vetëm për mbrojtjen kibernetike të sistemit. E shkriu duke i quajtur spiunë dixhitalë dhe i largoi. Thirrja ime për partnerët tanë është një ndërhyrje emergjente, sepse Irani nuk mund dhe nuk duhet ta fitojë këtë betejë. Nuk mund të intimidojë Shqipërinë për të ndryshuar qëndrimin e saj ndaj opozitës iraniane, që lufton për lirinë dhe dinjitetin e Iranit” tha Berisha
Ndërkohë Berisha rikujtoi dhe denoncimet e tij për udhëtimet e Veliajt në Teheran.
“Udhëtimet e Erion Velisë në Teheran për të cilat na kanë informuar shërbimet partnere. Ka dhe një udhëtim të mundshëm të Edi Ramës por nuk jam I sigurtë. Erion Veliaj kishte Teheranin si vend pelegrinazhin. Sipas burimeve është bërë dhe një udhëtim Rama, Veliaj… Asgjë nuk është e çuditshme tek Edi Rama” tha Berisha.
