Pakti i heshtur për integrimin, Tabaku: Pas hapjes së negociatave Kuvendi nuk është më noter

Hapja e negociatave të integrimit shihet si një mundësi për të ndalur mazhorancën në miratimin e ligjeve vetëm me shumicën e votave. Opozita në Komisionin e Posaçëm Parlamentar ka kërkuar që çdo nismë të kalojë përmes diskutimit për të mos e shndërruar Kuvendin në një noter të qeverisë.

Hapja e negociatave të integrimit ka arritur të zbusë tonet mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike.

Në takimin e parë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Integrimin, Taulant Balla në emër të mazhorancës dhe Jorida Tabaku si deputete demokrate nënvizuan se Kuvendi do të ketë rolin kryesor në etapat që duhet të plotësojë Shqipëria deri në integrimin në BE.

Madje ata theksuan se institucionet do të jenë të detyruar të raportojnë.

Tabaku:Besoj se ndryshimet në ligj do ti hapin rrugën rritjes së rolit të parlamentit dhe të mos jemi thjesht një noter që kalojmë ligje të radhës.

Balla:Të gjitha autoritetet, nga presidenti i Republikës te Kryeministri, institucionet e pavarura, duhet që në mënyrë periodike jo vetëm të njihen me ecurinë e procesit por edhe të bëhen pjesë e diskutimit, strategjisë apo dokumenta të tjerë të rëndësishme. Nga ne si mazhorancë nuk ka asnjë lëkundje të qëndrimit tonë.

Gjatë diskutimeve palët kanë rënë dakord për një proces transparent dhe gjithëpërfshirës.