Droge për “festa të çmendura”, kapen shpërndarës të lëndëve narkotike në Dhërmi, Bulqizë, Tiranë
Një 52-vjeçar u arrestua në Dhërmi, me rreth 5000 doza të drogërave sintetike dhe kokainë, të cilat i shpërndante në lokalet e natës në zonën turistike. Shpërndarës droge u kapën edhe në Bulqizë e Tiranë.
Ekstazi, MDMA, ketaminë, amfetaminë, LCD dhe kokainë.
52-vjeçari, Ardian Tati, nga Dhërmiu kishte siguruar mijëra doza të drogave të forta, të cilat i shpërndante në lokalet e natës së zonës turistike.
Por veprimtaria ishte zbuluar nga policia që e vuri në pranga në kushtet e flagrancës.
Gjatë kontrollit në trup dhe banesë, iu gjetën 4840 tableta ekstazi,doza me lëndë të dyshuar narkotike MDMA, ketaminë, amfetaminë, LCD dhe një sasi lënde e dyshuar kokainë.
Po ashtu blutë i sekuestruan një shumë parash dhe eurosh që dyshohet se i ka përfituar nga shitja e lëndëve narkotike.
Tre të rinj ndërkohë u arrestuan në Bulqizë, pasi akuzohen se vepronin si grup kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Kur blutë i vunë në pranga, Idrit Rexhës, Florenc Selimit dhe Eridon Alliut,ju kapën kanabis në forma të ndryshme dhe një armë pa leje.
Katër shpërndarës të lëndëve narkotike, kryesisht kanabis sativa dhe heroine u arrestuan në Tiranë me sasi të ndryshme droge, të cilën e shpërndanin në zona të ndryshme të kryeqytetit.

