Vrasja për “blerjen e votave” në Elbasan, dështon seanca për Arbër Paplekajn

Dështon sërish seanca për Arbër Paplekajn, akuzuar për vrasjen e mbështetësit të PS, Pjerin Xhuvani në Elbasan, 4 ditë para zgjedhjeve të 25 prillit të vitit të kaluar.  Togat e zeza ndërkohë rikonfirmuan hetim me masën “arrest shtëpie” për dy ish nëndrejtorët e Policisë lokale

Arbër Paplekaj, i akuzuari i vetëm për vrasjen Pjerin Xhuvanit, një politikan lokal mbështetës i partisë Socialiste 4 ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021 në Elbasan u paraqit në Gjykatë këtë të mërkurë, por seanca paraprake dështoi.

Për të dytën herë radhazi, togave të zeza nuk iu krijuan kushtet ligjore për të vendosur nëse do të kalojnë për gjykim dosjen hetimore të prokurorit Ridvan Suka, apo do ta rrezojnë atë, duke kërkuar rihetim.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Shkak për dështimin e dytë radhazi të procesit, këtë herë u bë mungesa e avokatit e njërit prej 6 efektivëve të forcës “Shqiponja” të pezulluar nga detyra pasi nuk reaguan për të shmangur konfliktin e nisur për motive politike dhe që përfundoi në vrasje.

Në këto kushte, seanca e radhës u caktua më 16 Shtator.

Më herët, gjykata e Elbasanit, rikonfirmoi masën e sigurisë “arrest shtëpie”, për ish nën drejtorët e policisë vendore, Nikollaq Palla dhe Albert Nushi, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre pasi nuk dyshohen se nuk kryen veprime që mund të parandalonin përshkallëzimin e përplasjes me dy grupeve politike.

Ngjarja që përgjaku fushatën për zgjedhjet e përgjithshme të 25 Prillit 2021 u shënua më 21 prill në  lagjen 5 Maji.

Anëtarë të Strukturës së PD për mbrojtjen e Votës, ndaluan aty Mehmet Grecën të cilën e akuzonin se po blente vota për llogari të Partisë Socialiste.

Debatet përshkallëzuan në përplasje me armë, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, me profesion mjek dhe i njohur si aktivist i Partisë Socialiste.

Të plagosur mbetën Eltjon Bodinaku 32 vjeç; Emiljan Prenga, 39 vjeç; Pavlo Vuksani 50 vjeç, dhe punonjësja e policisë Xhensila Sota 27 vjeçe, e cila këtë të mërkurë u paraqit si dëshmitare në Gjykatën e Elbasanit.

Vrasja për “blerjen e votave” në Elbasan, dështon
Ne foto efektivja Xhensila Sota

 Vrasja për “blerjen e votave” në Elbasan, dështon