"500 mijë dollarë nga Moska për PD në 2017." Basha e mohon

Ish kryetari i PD-së Lulzim Basha mohon se ka marrë financim nga Moska.

“Partia Demokratike nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus” shkruan Basha në një postim në tëitter.

Më tej ai vazhdon:  Kur pretendime të tilla u qarkulluan në disa media, Partia Demokratike i kërkoi zyrtarisht drejtësisë hetimin e këtyre akuzave dhe bashkëpunoi plotësisht me drejtësinë e cila hodhi poshtë  çdo pretendim për financime të huaja. Ne jemi krenarë për partneritetin e palëkundur me aleatin tonë strategjik, SHBA dhe të vendosur të ecim përpara në krah të aleatëve tanë euro-atlantikë për konsolidimin e vlerave perëndimore dhe integrimin e plotë të Shqipërisë në BE”

Rusia ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende, që nga viti 2014 dhe Presidenti Putin është angazhuar në financim të fshehtë politik në mbarë botën, sipas një zyrtari të lartë amerikan.

Një zyrtar nga SHBA i ka thënë Zërit të Amerikës se Rusia ka dhënë 500 000 dollarë për Partinë Demokratike në vitin 2017, kur në krye të kësaj force politike ishte Lulzim Basha.

Sipas një burimi nga qeveria amerikane, paratë janë dërguar te Partia Demokratike përmes kompanive fantazmë.

Burimi nuk dha hollësi të mëtejshme për rastin e Shqipërisë. Por viti 2017, emri i Partisë Demokratike dhe shifra e përmendur prej 500 mijë dollarësh përkojnë me hetimet që janë hapur në Shqipëri në atë kohë ndaj PD-së bazuar në deklarimet që firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ ka raportuar se ka marrë nga PD-ja.