Izraeli: Irani përdor objektet në Siri për të prodhuar armë dhe raketa
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Benny Gantz, tha të hënën se Irani ka përdorur më shumë se 10 objekte ushtarake në Siri për të prodhuar raketa dhe armë të avancuara për aleatët e tij.
Për vite me radhë Izraeli ka nisur sulme kundër objektivave në Siri, të cilat pretendon se janë të lidhura me Iranin.
Duke folur në një konferencë shtypi në Nju Jork, Gantz prezantoi një hartë të objekteve ushtarake të Qendrës për Studime dhe Kërkime Shkencore (CERS), një agjenci qeveritare siriane e përfshirë në prodhimin e armëve dhe raketave për Iranin.
“Irani e ka kthyer CERS-in në një objekt prodhimi për raketa me rreze të mesme dhe të gjatë dhe armë precize, të cilat i furnizohen Hezbollahut dhe aleatëve të Iranit. Me fjalë të tjera, është bërë një tjetër front iranian, një fabrikë për armë të avancuara strategjike”, theksoi ministri izraelit.
Kohët e fundit, sulmet që i atribuohen Izraelit janë shtuar kundër fushave ajrore siriane që synojnë të pengojnë përdorimin e transportit ajror nga Teherani për të furnizuar me armë aleatët e tij në Siri dhe Liban, përfshirë Hezbollahun, kanë thënë burime diplomatike dhe të sigurisë.
Sulmet izraelite kanë shënjestruar vazhdimisht zonën Masyaf në provincën perëndimore të Hama-s, ku, sipas Gantz, ka një strukturë nëntokësore të prodhimit të armëve që kërcënon Izraelin dhe rajonin.
"Mashyaf në veçanti përdoret për prodhimin e raketave të avancuara," shpjegoi ai.
Gantz shtoi se Irani po punon gjithashtu për të krijuar objekte të prodhimit të raketave dhe armëve në Liban dhe Jemen.
“Nëse ky trend nuk ndalet, brenda një dekade do të ketë objekte të avancuara iraniane në të gjithë rajonin, që prodhojnë armë dhe mbjellin terror”, theksoi ai.

