Edhe bixhoz edhe drogë, arrestohen vëllezërit pronarë të sallës së lojrave elektronike tek Selvia
Tre raste të shpërndarjes së droges në zonat e Tiranës jaë goditur nga policia e kryeqytetit.
4 persona janë arrestuar si dhe janë sekuestruar 3 kg lëndë narkotike cannabis sativa, rreth 120 doza me lëndë narkotike kanabis dhe doza të tjera me lëndë narkotike kokainë.
Pas informacioneve të marra në rrugë operative se në një biznes (sallë lojërash elektronike) në zonën e Selvisë, 2 shtetas, vëllezër, mbanin lëndë narkotike, menjëherë kanë ushtruar kontroll në këtë ambient.
Si rezultat, specialistët për Hetimin e Narkotikëve gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 3 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa si dhe një pjesë të ndarë në doza. Në vijim të veprimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit: -D. H., 28 vjeç dhe E. H., 22 vjeç (vëllezër), të dy banues në Tiranë
“Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se këta 2 shtetas, pasi siguronin lëndë narkotike cannabis sativa në sasi të mëdha, e ndanin atë në doza të vogla dhe më pas e shisnin te klientë të ndryshëm, të biznesit të tyre në zonën e Selvisë’ informoi sot policia e Tiranës.
Në vijim të operacionit policor të koduar “Risk”, po nga specialistët për Hetimin e Narkorikëve u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
- M. Z., 24 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje. Pas verifikimeve të kryera, ka rezultuar se 24-vjeçari shpërndante lëndë narkotike kokainë në zonën e Komunës së Parisit.
- J. C., 26 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, sasi lënde e dyshuar narkotike canabis sativa, e ndarë në doza, gati për shitje. Pas verifikimeve të kryera, ka rezultuar se ky shtetas, pasi siguronte lëndën narkotike cannabis sativa, e ndante atë në doza dhe e shiste në zona të ndryshme të Tiranës.
