Turqia arreston deputeten e partisë pro-kurde HDP
Policia turke arrestoi sot një deputete pro-kurde, pasi u publikuan foto që e shfaqnin atë me anëtarë të PKK-së.
Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu njoftoi se deputetja Semra Guzel e Partisë për Demokracinë Popullore (HDP) u arrestua teksa udhëtonte në veriperëndim të Turqisë me një pasaportë false.
Parlamenti i hoqi imunitetin pasi media pro-qeveritare publikoi foto të saj me luftëtarët e armatosur të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).
Autoritetet turke e konsiderojnë HDP-në një krah politik të PKK-së dhe kanë nisur procedura që mund të çojnë në ndalimin e partisë.
HDP, nga ana e saj, mohon se mban lidhje me PKK-në, por disa nga anëtarët e saj kanë marrëdhënie me rebelët e kërkuar ose refuzojnë të dënojnë veprimet e tyre.
Shumë anëtarë të HDP-së u arrestuan në goditjen që pasoi tentativën për grusht shteti të vitit 2016.


