Zëvendëspresidentja i shpëtoi atentatit, Presidenti i Argjentinës e shpall të premten ditë feste

Cristina Fernandez de Kirchner, zëvendëspresidente e Argjentinës ka jetë të dytë. Ajo i shpëtoi mbrëmë një atentati me armë në derë të shtëpisë. Pistoleta me 5 plumba brenda nuk shkrepi kur autori ja drejtoi në kokë dhe tërhoqi këmbëzën. Presidenti e shpalli të premten ditë feste për jetën në solidarizim me zonjen Kishner e cila po përballet me gjyq për korrupsion.

Zëvendëspresidentja e Argjentinës i ka shpëtuar mrekullisht një atentati pasi arma e autorit u bllokua teksa ia drejtoi në kokë. 

Ngjarja ndodhi ndërsa Cristina Fernandez de Kirchner ishte duke përshëndetur mbështetësit jashtë shtëpisë së saj.

Një burrë doli nga turma dhe i drejtoi një pistoletë në fytyrë.

Presidenti Alberto Fernandez tha se pistoleta ishte e mbushur me pesë plumba, por nuk shkrepi kur u tërhoq këmbëza.

Pamjet e shpërndara në mediat lokale tregojnë autorin kur i drejton armën, ndërsa ajo ul kokën, por nuk pati asnjë të shtënë.

Në një video tjetër të postuar në mediat sociale, njerëzit në turmë përpiqen të bllokojnë zonjën Cristina Fernandez de Kirchner nga autori i dyshuar i armatosur.

Atentati ndodhi në një moment kur Kirchner është në mes gjyqit për korrupsioni dhe kur ajo po kthehej nga gjykata. 

Deri tani zëvendëspresidentja i ka mohuar akuzat për implikim në vepra të paligjshme.

Policia arrestoi personin e armatosur, të cilin mediat lokale e identifikuan si një brazilian 35-vjeçar.

Hetuesit po përpiqen të zbulojnë motivin e sulmit.

Duke iu drejtuar kombit vonë gjate natës në të gdhirë e premtja, Presideti Fernandez tha: "Cristina mbetet gjallë sepse për një arsye ende të pa konfirmuar teknikisht, arma, e cila përmbante pesë plumba, nuk shkrepi".

Ai dënoi sulmin dhe tha se përpjekja per ti marrë jetën zëvendëspresidentes ishte një nga një nga incidentet me serioze që kur vendi u kthye në demokraci në vitin 1983.

“Ne mund të mos pajtohemi, mund të kemi mosmarrëveshje të thella, por gjuha e urrejtjes nuk mund të ndodhë sepse ajo ushqen dhunë dhe nuk ka asnjë shans që dhuna të bashkëjetojë me demokracinë”, tha Fernandez.

Kreu i shtetit gjithashtu shpalli një festë kombëtare të premten për t'u dhënë kohë argjentinasve që të "shprehen në mbrojtje të jetës, demokracisë dhe në solidaritet me zëvendëspresidenten ".

Ditët e fundit qindra protestues mblidhen në mbështetje jashtë shtëpisë së 69-vjeçares në kryeqytet, ndërkohë që ajo është në proces gjyqësor.

Kirchner akuzohet për mashtrimin e shtetit dhe për dhënie të kontratave të punëve publike në bastionin e saj në Patagoni, kur ishte presidente në mandatin 2007-2015.

Nëse shpallet fajtore rrezikon të përballet me 12 vjet burg dhe me fundin e karrierës politike.

Aktualisht ajo gëzon imunitet parlamentar dhe nuk burgoset pa ratifikimin e  Gjykatës së Lartë.

Kirchner është përballur me shumë gjyqe të tjera për korrupsion pas kohës së saj si presidente.