"Ballkani i Hapur" në Beograd, pritet finalizimi i marrëveshjes për tregtinë pa kufizime
Në samitin ‘Ballkani i Hapur’ që mbahet sot dhe nesër në Beograd, pritet të finalizohet marrëveshja për tregtinë pa kufizime të ushqimeve mes vendeve të kësaj nisme.
Në këtë takim do marrin pjesë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti serb, Aleksander Vuçiç, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Agjencia serbe e lajmeve, Tanjig bëri të ditur se në takimin në Beograd do të marrin pjesë edhe kryeministri malazes Dritan Abazoviç, kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës Zoran Tegeltija, ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto dhe minstri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca deklaroi një ditë më parë pas mbledhjes së qeverisë ku u miratua marrëveshja që do nënshkruhet mes vendeve të ‘Ballkanit të hapur”, se kjo marrëveshje thellon më tej bashkëpunimin.
Krifca sqaroi se marrëveshja që pritet të nënshkruhet parashikon ngritjen e një mekanizmi që garanton sigurimin ushqimor, mbajtjen e tregjeve të hapura, pa ndërprerje e pa përcaktuar asnjë tavan, siç ka ndodhur në muajt e kaluar, pa përmendur asnjë kuotë.
