"Unë bërtita JO!"/ Valë protestash në Tiranë, Prishtinë e Shkup kundër krimeve seksuale
Kjo e mërkurë u shoqërua nga një valë protestash të njëpanjëshme lidhur me ngjarjen makabre të përdhunimit të të miturës në Kosovë.
Nisën në orën 12:00 në Prishtinë, në 17:00 në Shkup dhe në 18:30 në Tiranë.
Me Sloganin "Unë bërtita JO", qytetarë, aktivistë por edhe personazhe të artit dhe medias marshuan në sheshin "Nënë Tereza" në solidaritet me Prishtinën.
Qytetarët e vunë theksin te sensibilizimi i shoqërisë, si e vetmja zgjidhje që mund të frenojë përhapjen e fenomenit.
"Kemi një betim hyjnor të gjithë, me rujt jetën e fëmijëve. Jo lutem mos prekni fëmijët, mos guxoni me prek fëmijët. E nëse ne ju themi ju lutemi se kaq kemi në dorë, e ka një shtet si Shqipëria dhe Kosova që duhet me u përgjigj për me siguru jetën e fëmijëve."
Ashtu si qytetarët e Prishtinës, shoqëria civile në Tiranë kërkoi ashpërsimin e ligjit.
"Pjesa e kodit penal të ndryshojë dhe të zbatohet aq ashpërsisht sa meritojnë këto lloj krimesh".
Pas thirrjeve në sheshin "Nënë Tereza", protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë.
Ngjarja shokuese ndodhi të shtunën që lamë pas ku e mitura u përdhunua nga 5 të rinj, të arrestuar tashmë nga policia.
Pas këtij rasti të rëndë drejtori i policisë së Kosovës dha dorëheqjen.

