Të paktën 15 të vdekur në mes të luftimeve në kryeqytetin irakian

Të paktën 15 persona janë vrarë në përleshjet mes forcave irakiane të sigurisë dhe mbështetësve të një kleriku të fuqishëm shiit në kryeqytetin, Bagdad.

Zyrtarët thonë se dhjetëra të tjerë u plagosën pasi protestuesit besnikë të Moqtada al-Sadr sulmuan pallatin presidencial.

Dhuna filloi pasi Sadr njoftoi tërheqjen e tij nga politika.

Blloku i tij fitoi shumicën e vendeve në parlament tetorin e kaluar, por ai ka refuzuar të negociojë me grupet shiite të mbështetura nga Irani për të formuar një qeveri.

Si rezultat, ka pasur një vit paqëndrueshmërie politike.

Luftimet në rrugë shpërthyen gjatë natës, ndërsa luftëtarët shkëmbyen të shtëna me armë zjarri.

Pjesa më e madhe e luftimeve është përqendruar rreth Zonës së Gjelbër të qytetit, një zonë që strehon ndërtesa qeveritare dhe ambasada të huaja. 

Zyrtarët e sigurisë thanë se një pjesë e dhunës ishte midis Brigadave të Paqes, një milici besnike ndaj Sadr, dhe anëtarëve të ushtrisë irakiane. 

Irani ka mbyllur kufijtë e tij me Irakun në mes të luftimeve dhe Kuvajti u ka kërkuar qytetarëve të tij që të largohen menjëherë nga vendi.

Mjekët thanë se 15 mbështetës të Sadr ishin qëlluar për vdekje dhe rreth 350 protestues të tjerë u plagosën, sipas agjencisë së lajmeve AFP.

Një zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres tha se ai ishte i alarmuar nga ngjarjet.