Bashkia Pogradec: Distancohemi nga punonjësit që vodhën donacionet e gjermanëve, pajisjet të padëmtuara
Bashkia Pogradec distancohet kategorikisht nga veprimet e shëmtuara të punonjësve të bashkisë që vodhën donacionet e qytetarëve.
Reshit Fraholli me detyrë përgjegjës i rrugëve rurale dhe ish-kryetari i komunës se Çërravë, dhe punonjësit e kësaj ndërmarrje Raif Muçka; Bektash Xhudellari dhe Marsel Muçllari u arrestuan të dielën nga policia, pas videove të publikuara nga mediat, ku shihen personat duke marrë ndihmat.
Në bashkëpunim, në ambientet e pallatit të sportit, ata vodhën disa pako me ndihma, të dhuruara nga motoristë të huaj, për komunitetin e kësaj bashkie.
Motoristët sollën 10 kamionë me pajisje spitalore dhe shkollore si donacion për Pogradecin nga kamionistë dhe motoristë nga Gjermania, të angazhuar në bamirësi.
Ndërkohë, bashkia pohon se personat e përfshirë në këto veprime tashmë janë ndaluar nga policia dhe do të jenë organet e drejtësisë të cilat në mënyrë të pavarur do të japin vendimin e tyre mbi veprimin e kryer dhe ne i inkurajomë fort që të zbardhen plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Bashkia qartëson se asnjë pajisje e dhuruar për spitalin, shkollat dhe kopshtet të cilat janë të gjitha të inventarizuara nga të dyja palët, Bashkia edhe përfaqësuesit gjermanë, nuk është cenuar.
“Nisur nga një veprim i shëmtuar nga disa punonjës të Bashkisë Pogradec mbrëmjen e kaluar në lidhje me donacionet e sjella nga shoqata e motoristëve dhe kamionistëve gjermanë ju bëjmë me dije se: Bashkia Pogradec distancohet kategorikisht nga këto veprime të shëmtuara. Personat e përfshirë në këto veprime tashmë janë ndaluar nga policia dhe do të jenë organet e drejtësisë të cilat në mënyrë të pavarur do të japin vendimin e tyre mbi veprimin e kryer dhe ne i inkurajomë fort që të zbardhen plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Gjithashtu duam t'i bëjmë me dije bashkëqytetarëve tanë dhe opinionit publik se asnjë pajisje e dhuruar për spitalin, shkollat dhe kopshtet të cilat janë të gjitha të inventarizuara nga të dyja palët, Bashkia edhe përfaqësuesit gjermanë, nuk është cenuar. Ditën e sotme është bërë i gjithë komunikimi dhe verifikimi i nevojshëm me donatorët të cilët janë larguar drejt Gjermanisë pak momente më parë edhe ata vetë pas verifikimeve, kanë konstatuar se të gjitha pajisjet e sjella dhe të inventarizuara janë të pacenuara. Edhe pse nuk kemi pajisje të përvetësuara, por vetëm disa maska dhe shtroje, veprimi i kryer është i shëmtuar dhe i dënueshëm.
Duam të shpjegojmë gjithashtu se nuk kemi të bëjmë me ndihma për familjet me probleme ekonomike siç raportohet në media apo rrjete sociale, por me pajisje shkollore(banka) pajisje spitalore si eko, krevatë etj, të cilat po shpërndahen në institucione sipas dakordësisë që është arritur me donatorët.”
