Unaza e Madhe e devijuar, banorët e Paskuqanit: Projekti i ndryshuar nga njerëz pranë pushtetit
Shumë nga familjet e Paskuqanit, shtëpitë e të cilëve preken nga projekti i Unazës së madhe kërkojnë shpronësim sipas çmimit të tregut. Ato vijojnë të ngrenë dyshime se projekti ka devijuar për interesa personale të njerëzve që kanë lidhje me pushtetin.
Banorët e Paskuqanit të cilët preken nga projekti i Unazës së Madhe ende janë pa një zgjidhje nga institucionet shtetërore.
Selim Shehu banor i kësaj zone që prej vitit 1991 thotë se shtëpia e tij është skualifikuar nga legalizimi në nëntor të 2021 dhe pse e ka pasur në proces që në vitin 2006.
Shehu thotë se nuk është dakord me vendimin nr 409 datë 15.6.2021 për rrregullat mënyrat dhe afatet e trajtimit të poseduesve të ndërtimeve pa lejë që nuk legalizohen duke shtuar se nuk beson tek institucionet.
"Kemi lexuar një VKM që ju që nuk jeni legalizuar do të merrni një sipërfaqe vendi të paditur me një kontratë jo të plotë, jo të regullt, kontratë formale, e cila na imponon ndoshta dhe ta firmosim se nëse se firmosim kemi dhe një vendim të INUK që të gjobit me 350 mijë lekë metrin katror. Shtëpia të shkon, gjoba 100 mijë euro të vjen, nuk e di si mund ta përballojmë ne si familjarë."
Madje ai vijon të deklarojë se projekti është devijuar dhe se sipërfaqja e lumit është e mjaftueshmë për tu ndërtuar Unaza.
"Lumin Tirana e kemi lënë të pashfrytëzuar, i kemi bërë thirrje qeverisë që të vijë rruga nga lumi. Nuk kemi siguri dhe besim megjithatë ne nuk jemi në luftë,. I bëjmë thirrje qeverisë ta rishikojë këtë vendim se është vërtet tepër i rëndë."
Me projektin e Unazës së Madhe preken shumë shtëpi si Lapraka, Kodra e Priftit dhe Paskuqani, banorët e të cilëve shpesh kanë deklaruar se projekti ka devijime abuzuese.


