Hynë në Shqipëri 3 javë më parë, kush janë 3 fotografët rusë e ukrainas, një prej tyre u akuzua për spiunazh

Tre të arrestuarit në Gramsh të cilët dyshohen për spiunazh në vendin tonë, kanë një aktivitet të shumtë në rrjetet sociale. Me emra të ndryshuar tre të rinjtë kanë udhëtuar në shumicën e vendeve të Evropës Lindore dhe Ballkan, ndërsa në fokusin e tyre janë bazat ushatake. Të paktën një prej tyre është akuzuar edhe më herët për spiunazh.


Tre personat e arrestuar në Uzinën e Gramshit dhe që hetohen edhe për spiunazh, kanë me mijëra ndjekës në rrjetet e tyre sociale, ku hedhin fotografi vetëm të bazave ushtarake në pothuajse të gjithë Evropën.

Ata janë treguar të kujdesshëm gjatë gjithë kohës teksa në asnjërin prej profileve të tyre në rrjete nuk kanë vendosur emrin e vërtetë.

Madje nuk mungojnë as pamje nga bunkerët shqiptarë apo të reparteve ushtarake tashmë të shkatërruara si dhe të fishekëve të përdorur dikur nga ushtritë e kuqe dhe jo vetëm.

Nuk mungon as kjo video në dukje e Pashalimanit.

Ndalesat e tyre janë thuajse në të gjithë Evropën duke përfshirë edhe Vatikanin, por dhe shtetet dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik.

Rusët Svetlana Timofoeva dhe Mikhail Zorin kanë postuar herë pas here fotografi të tyre, ndërsa ukrainasi F.A është treguar rreptësisht i kujdesshëm, dhe në të gjitha fotot që ai hedh kujdeset që ta mbulojë fytyrën e tij.

Tre të rinjtë që alarmuan institucionet shqiptare, kanë hyrë në Shqipëri 3 javë më parë.

Dy shtetasit rusë kanë arritur në vendin tonë përmes aeroportit të Rinasit, ndërsa ukrainasi ka ardhur bashkë me këtë makinë përmes portit të Durrësit.

Makina ngjyrë portokalli rezulton të jetë e regjistruar në Kharkiv të Ukrainës, ndërsa të tre personat mësohet se kanë qenë në Shqipëri edhe një vit më parë, teksa kanë vizituar disa vende, kryesisht në jug të Shqipërisë.

Ndaj Svetlena Timofoeva, 33-vjeç ka pasur edhe më herët akzua për spiunazh, dhe në fillim të këtij viti miku i saj fotograf u arrestua në Egjipt, ndërsa u desh ndërhyrja e Ministrisë së Jashtme ruse për ta liruar atë.

Në një deklaratë publike pak muaj më parë 33-vjeçarja hidhte poshtë akuzat se ajo është një agjente ose që sponsorizohej nga agjentura të huaja.

“Unë udhëtoj shumë, vetëm kështu blej biletat, gjej një vend për të qëndruar, kap çantën e shpinës dhe nis rrugën! Këtë e bëj prej më shumë se 15 vitesh. Blogu im nuk sponsorizohet nga ndonjë inteligjencë e huaj, për të cilën do të përpiqesha të gjeja dhe të tregoja vende të ndryshme të harruara. Të gjitha pajisjet janë të miat, askush nuk më jep kamerën dhe nuk më thotë se çfarë të shkrep”-shkruante rusja në deklaratën e saj.

Të tre të arrestuarit tanimë nga policia shqiptare në rrjetet e tyre sociale tregojnë fotot e tyre të realizuara në mënyrë profesionale dhe si objektiv janë bazat ushtarake dhe pajisjet e luftimit.

Burime nga grupi hetimor bëjën me dije se në një nga çantat e të arrestuarve është gjetur edhe një pajisje përgjimi, çka shton dyshimet për aktivitetin e vërtetë të të rinjve në Shqipëri.