Kurti për “El Pais”: Spanja duhet ta njohë Kosovën, s'ka asgjë të përbashkët me Katalonjën e Baskët
Albin Kurti ka kaluar më shumë se gjysmën e 47 viteve duke luftuar për pavarësinë e Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare. Ky ish-aktivist u zgjodh kryeministër me shumicë të madhe në vitin 2021.
Kështu e fillon shkrimin gazeta spanjolle “El Pais” për të cilën ka folur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën, por shkrimi u publikua vetëm sot, 19 gusht.
Ai ka deklaruar se shteti spanjoll duhet ta njohë Kosovën pasi nuk ka asgjë të përbashkët me Katalonjën e Baskët.
Madje shefi i qeverisë kosovare ka ka theksuar se njohja e shtetit të Kosovës do ta ndihmonte Spanjën ta demonstronte se rastet nuk janë të njëjta pasi Serbia ka bërë gjenocid në Kosovë.
“Spanja duhet të pajtohet dhe ta njohë Kosovën. E di që ka disa ankesa, por, siç ka thënë shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, kur fitoi çmimin ‘Princi i Asturias’: ‘Spanja nuk duhet të krahasohet kurrë me Serbinë, sepse Serbia bëri gjenocid në Kosovë’. Besoj se pikërisht me njohjen e Kosovës, Spanja tregon se Katalonja dhe Baskët janë raste të ndryshme”, ka thënë Kurti.
Pyetjes nëse ekziston rreziku për konflikt të hapur mes Serbisë dhe Kosovës, ai ju përgjigj duke thënë se “ka tension të madh sepse Beogradi refuzon të pranojë krimet e bëra në luftën në Kosovë. Për shembull, për masakrën e Reçakut, më 15 janar 1999, thonë se nuk ka ekzistuar. Ata e mohojnë krimin. Përveç kësaj, ata nuk e njohin pavarësinë tonë dhe kanë kryer 48 operacione rreth kufirit tonë: 28 janë ushtarake dhe 20 janë të xhandarmërisë”.
Albin Kurti ka qëndruar gjatë ditës së djeshme në Bruksel, ku ka pasur një takim tre-palësh me përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borell si dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.
Ky ishte takimi i tretë i Kurti-Vuçiç me ndërmjetësimin e BE por që përfundoi pa marrëveshje sikundër dhe dy të parët.
