Kurti zhvillon takim “përgatitor” me Escobarin dhe Lajçakun, insiston në reciprocitet me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar në mbrëmjen e së mërkurës me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kurti e ka quajtur këtë takim përgatitor para takimit të 18 gushtit mes tij dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson BE-ja.

Atyre u është bërë ftesa për dialog pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës më 31 korrik.

Serbët e Kosovës kanë ngritur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj hapit të Qeverisë së Kosovës për të zbatuar dy vendime për targat e makinave dhe dokumentet serbe.

Barrikadat janë hequr pasi Qeveria ka shtyrë zbatimin e vendimit për 1 shtator.

Kurti ka thënë para mediave se në takim me Lajçakun dhe Escobarin është diskutuar për “elemente të kornizës për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, që duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, si dhe për çështjet aktuale”.

“Pritet të trajtohen të gjitha marrëdhëniet bilaterale, me të gjitha vështirësitë dhe pengesat”.

Ai ka insistuar që Kosova është për reciprocitet me Serbinë.

I pyetur nëse ka mundësi që Kosova të shtyjë sërish zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe, Kurti ka thënë se “ne po diskutojmë për zgjidhje, jo për shtyrje”.

“Nuk është se e kemi bërë shtyrjen që të bëjmë edhe shtyrje tjera. Shtyrja është bërë më 31 korrik për datën 1 shtator, dhe me atë rast kemi dëshmuar - me datën 1 gusht - se nuk konfiskojmë dokumente, siç ka qenë fushata e dezinformimit. Në anën tjetër, është e mundshme që më 1 shtator nuk do të lëshojmë dokumente, sepse edhe Serbia do të heqë dorë prej lëshimit të dokumenteve në vendkalimet kufitare me Kosovën. Ne dëshirojmë marrëdhënie reciproke”.

Lajçak ka thënë se dëshiron që në takimin e 18 gushtit të ketë marrëveshje, por nuk e ka specifikuar se për çka.

Ai ka thënë se përmes dialogut dëshiron që më 1 shtator të shmanget situata e tensionuar e 31 korrikut.

“Do të kemi diskutime për marrëdhëniet e së ardhmes, si të arrihet normalizimi dhe do të diskutojmë çështjet aktuale. Ne kemi dy liderë me mandate demokratike dhe presim që ata të dedikohen në gjetjen e një zgjidhjeje që siguron se nuk do të ketë krizë”, ka deklaruar Lajçak. /REL/