Prokuroria Speciale e Kosovës heton “organizatat ilegale” nga Serbia

Policia e Kosovës ka informacione se në territorin e Kosovës veprojnë “grupe apo organizata ilegale” nga Serbia, ndërsa Prokuroria Speciale në Prishtinë është duke zhvilluar hetime ndaj disa prej tyre.

Këtë informacion e ka konfirmuar Policia e Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, ky institucion nuk ka dhënë informata për këtë çështje, për shkak të hetimeve të Prokurorisë.

Prokuroria Speciale nuk i është përgjigjur Radios Evropa e Lirë në kërkesën për informacion.

“Policia e Kosovës, në bashkëpunim edhe me institucionet tjera të sigurisë në Kosovë, por edhe me partnerët ndërkombëtarë, trajton të gjitha të dhënat lidhur me grupet ilegale që mund të cenojnë rendin dhe sigurinë publike”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës, informon REL.