Asgjë e re nga Brukseli, mbyllet pa marrëveshje edhe takimi i tretë Kurti-Vuçiç

Tensionet në veri të Kosovës ishin në qendër të diskutimeve të liderëve ballkanik Kurti dhe Vuçiç me kryediplomatin e BE-së Borrell dhe shefin e NATO-s Stoltenberg. Teksa Stoltenberg tha se NATO ka 4000 trupa në Kosovë, Borrell e bëri të qartë se nëse ka sërish tensione do të kenë përgjegjësi të plotë Beogradi dhe Prishtina.

Tensionet e shtuara në veri të Kosovës kanë tërhequr vëmendjen e komunitetit perëndimor.

Këtë të enjte, kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vuçiq ishin në një takim disaorësh në Bruksel me kryediplomatin Borrell dhe të dërguarin special Lajçak.

Kryediplomati Borrell do ta hapte konferencën me të njëjtat fjalë sikurse edhe shefi i NATO-s Stoltenberg, lufta në Ukrainë dhe tensionet në veri të Kosovës.

Gjatë konferencës për shtyp ai vuri në dukje se takimi kishte fokus qendror tensionet në veri dhe nuk pati një marrëveshje mes palëve.

Borrell: Falenderoj presidentin Vuçiç dhe Kurtin. Të dy e kuptuan se nuk ka alternativë veç dialogut për të zgjidhur problemet dypalëshe. Ka diferenca mes tyre në pikëvështrimet e tyre se cili do jetë statusi final i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë por ata ranë dakord për ti vijuar diskutimëet në një periudhë për të shkuar drejt normalizimit më shpejt, më shpejt. Kjo do jetë lart në agjendën time. Dua të falenderoj dhe Lajçak.

Problemet që folëm në agjendën tonë, kemi parë rritje të tensioneve sa i përket targave dhe hyrjes dhe daljes së njerëzve në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Palët do jenë përgjegjëse komplet nëse ka përshkallëzim të situatës. Nuk patëm një marrëveshje sot por nuk është fundi. Dy liderët ranë dakord që procesi duhet të vijojë në ditët e ardhshme, në ditët e para të shtatorit.

Nuk heq dorë. Sot nuk kishte marrëveshje por ne nuk heqim dorë, duhet të shohim për një zgjidhje, do të vijojmë sëbashku. Në mbyllje të takimit ua bëra të qartë dy liderëve që dy palët duhet të jenë këmbëngulëse dhe të gjejnë një zgjidhje për situatën aktuale. Ishte një ditë e gjatë në takime dhe ramë dakord të vijojmë më tej në një mënyrë politike për të shkuar drejt marrëveshjeve për të krijuar siguri dhe stabilitet për qytetarët e rajonit por edhe për gjithë të tjerët. Është detyra jonë për të përforcuar punën dhe për të parë një zgjidhje për ato që nuk kemi mundur deri më tani.

Takimi i dy politikanëve ballkanas me kryediplomatin Borrell, u parapri nga takimi me shefin e NATO-s Jens Stoltenberg.

Edhe kreu i aleancës veriatlantike e vuri theksin te kriza në veri dhe siguroi se NATO ka 4000 trupa në terren për çdo eventualitet.

Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç do të takohen sërish në shtator në Bruksel për të vijuar negociatat.

Presidenti serb e ka konsideruar Kurtin një bashkëbisedues të vështirë, teksa negociatat duket se kanë ngecur, por BE dhe ShBA po kërkojnë të përshpejtojnë një marrëeshje finale mes palëve me njohje të ndërsjellë.