Takimi i tretë mes Kurtit dhe Vuçiçit në Bruksel

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç negociojnë në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Fillimisht do të ketë takime dypalëshe midis përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe liderëve.

Takimi i Kurtit me Borrellin ishte paraparë të mbahet rreth orës 09:30.

Ndërkaq, takimi trepalësh do të nisë më 10:30. Pas këtij takimi, mund të ketë përsëri takime dypalëshe, sipas nevojës.

Kurti dhe Vuçiç janë takuar dy herë vitin e kaluar, por pa ndonjë rezultat konkret.

Takimin I sotëm është I treti dhe e ka kërkuar kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, më 31 korrik.

Ndërkohë mbrëmjen e 17 gushtit 2022 Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.