Kuvendi i Malit të Zi diskuton rrëzimin e Qeverisë së Abazoviçit

Këtë të premte, Kuvendi i Malit të Zi, do të mbajë votë mosbesimi ndaj Qeverisë së kryeministrit, Dritan Abazoviç.

Në fjalën e tij hyrëse, deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Danijell Zhivkoviç, tha se Qeveria e Abazoviçit ka braktisur agjendën evropiane dhe ka humbur një mundësi historike, “sepse kryeministri përmbushi detyrimet e tjera dhe pranoi të shantazhohet”.

“Në vend të kryeministrit evropian, jeni bërë ish-kryeministër. Mali i Zi, pas Qeverisë së ekspertëve dhe pakicës, nuk ka më kohë për eksperimente politike. Është koha që të kemi zgjedhje ku do të zgjidhet një qeveri legjitime”, tha Zhivkoviç.

Abazoviç iu kundërpërgjigj Zhivkoviçit, duke thënë se nuk është e vërtetë që DPS-ja e ka paraqitur iniciativën për rrëzimin e tij për shkak të mungesës së progresit të shtetit në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

“Ju e keni dorëzuar iniciativën për shkak të Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse. Ju thatë se ishte krim dhe tradhti ndaj interesave kombëtare dhe prandaj e dorëzuat. Mos u fshihni pas evropianizmit”, tha Abazoviç.

Mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë e kanë iniciuar 36 deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit, Millo Gjukanoviç, dhe një pjesë e partive të shumicës qeverisëse.

Për të rrëzuar Qeverinë, e cila deri më tani ka funksionuar si pakicë, janë të nevojshme votat e të paktën 41 deputetëve, nga gjithsej 81 sa janë në Kuvend.

Iniciativa për rrëzimin e Qeverisë, e prezantuar nga Partia Demokratike Socialiste e presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, dhe një pjesë e partive në tjera, është shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Abazoviçit për nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.

Kjo marrëveshje u vlerësua si e dëmshme për interesat kombëtare të shtetit.

Iniciatorët po ashtu kanë vlerësuar se Qeveria ka pasur detyrë prioritare reformimin e sistemit gjyqësor dhe forcimin e sundimit të ligjit, ashtu që të përshpejtohet procesi i integrimit evropian.

“Për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të Abazoviqit, që rezulton në rritje të tensioneve në shoqëri, dhe humbje potencialisht të pariparueshme të kohës për përmbushje të obligimeve nga agjenda jonë evropiane, Qeveria e ka humbur legjitimitetin e saj”, është thënë në iniciativë./REL/