S’ka marrëveshje Kosovë -Serbi/ DASH: Mos ndërprisni dialogun, SHBA po ndjek nga afër situatën
Kosova dhe Serbia dështuan sërish në tryezën e dialogut për të gjetur zgjidhje mbi problemet që u diskutuan në Bruksel. Në takimin e tretë mes tyre, Vuçiç dhe Kurti kanë qëndrime të kundërta për normalizimin e marrëdhënieve mes vendeve, ndërsa për Bashkimin Europian ky raund nuk mund të konsiderohet i mbyllur. Nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara kanë inkurajuar palët që të vijojnë me dialogun, duke siguruar se kjo çështje po ndiqet nga afër në Uashington.

Një ditë pas dështimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje autoriteteve të dy vendeve që të vazhdojnë negociatat. Përmes zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, SHBA thotë se është duke e vëzhguar nga afër situatën.
“Nga ajo që dimë është se bisedimet po vazhdojnë. Ne, në partneritet me BE-në po e ndjekim me kujdes dhe inkurajojmë të dyja palët që të shfrytëzojnë dialogun në mënyrë efektive dhe u sugjerojmë palëve që të vazhdojnë dialogun”, tha zëdhënësi i Departamentit, Ned Price.
Ai shtoi se SHBA është e kënaqur që këto diskutime kanë filluar dhe po vazhdojnë edhe tani. Edhe pse në Bruksel e kanë cilësuar si një diskutim të mirë, dialogu mes Kurtit dhe Vuçiç, me ndërmjetësimin e Shefit për Politikë të Jashtme në BE, mund të cilësohet i dështuar sa i përket rezultatit që prodhoi.
"Për dy prej çështjeve më të rëndësishme, të cilat stimualuan edhe tensione në Veri të Kosovës, palët nuk u dakordësuan. Ato kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet e udhëtimit. Ne nuk arritëm marrëveshje, por s’është fundi i tregimit, dy liderët u pajtuan se procesi duhet të vazhdojë dhe diskutimi do të rikthehet në ditët e ardhshme dhe ka kohë deri më 1 shtator”, tha ai kryediplomati i BE-së.
Për Bashkimin Europian raundi i tretë i nivelit të lartë të dialogut Prishtinë-Beograd nuk ka mbaruar dhe nuk quhet i mbyllur. Bashkimi Europian pritet të komunikojë në ditët në vijim për qëndrimin e delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë.
Progres është arritur për gjetjen e personave te zhdukur, dhe për energjinë, për të cilat palët janë shumë pranë arritjes së zbatimit të udhërrëfyesit. Mbeten pezull çështja e asociacionit, e njohjes se ndërsjellë të dokumenteve dhe targave te automjeteve.
