KQZ do të propozojë votim elektronik në disa bashki në zgjedhjet 2023

Në shtator pritet të merret konsensusi nga partitë politike që në zgjedhjet e ardhshme vendore, Vorës t’i bashkohen edhe disa bashki  të mëdha në vend, ku  të implementohet votimi dhe numërimi elektronik. Për këtë propozim do të duhet edhe dakordësia e qeverisë pasi do të duhet t’i akordojë fondin KQZ për të ngritur infrastrukturën e nevojshme.

Në zgjedhjet e ardhshme vendore Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të kërkojë që në disa bashki të mëdha të implementohet votimi dhe numërimi elektronik. Në një intervistë për RTV Ora kryekomisioneri Ilirian Celibashi pranon që institucioni që drejton ka parashikuar në kostot e lokaleve të vitit të ardhshëm shpenzimet për futjen e elektronikës në bashkitë kryesore të vendit.

Ilirjan Celibashi:  Ne kemi pasqyruar në kostot e zgjedhjeve të ardhshme mundësinë e zhvillimit të votimit elektronik dhe në disa muaj të tjera. Shtatori do të jetë muaji brenda të cilit do të vendosë KQZ, parti politike dhe qeveria. 

Në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, rezultati në bashkinë e Vorës doli pak orë pas përfundimit të  procesit të votimit elektronik. Por Celibashi ka edhe një këshillë për politikën shqiptare për sa i përket teknologjisë.

Ilirjan Celibashi:  Personalisht do të doja që hap pas hapi ta shtrinim numërimin elektronik edhe më gjerë por ky nuk është kusht për standardin e zgjedhjeve.

Ndryshimi i numrit të bashkive në rast se PS dhe PD do të bien dakord të bëjnë një ndarje të re territoriale do ja vështirësonte punën KQZ, por edhe në këtë rast Celibashi nuk suprizohet nga lëvizjet në momentin e fundit të partive politike.

Ilirjan Celibashi:  Nuk është më shumë çështje numri sesa sesi ne bëjmë ndarjen administrative. Ne jemi mësuar prej gati 30 vitesh me këtë histori. Mesa duket nuk do të ndryshojnë as për këto zgjedhjet e pritshme vendore.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Emigrantët do të mund të votojnë nga vendi ku jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare, por kjo praktikë nuk do të aplikohet për vendoret.

Ilirjan Celibashi: Nuk mund ta ushtrojnë të drejtën e votimit atje ku kanë vendbanimet për zgjedhjet vendore.

KQZ ka shpërndarë draftin e saj partive politike dhe grupeve të interesit për mekanizimin e regjistrimit të emigrantëve, hap  cili do të pasohet me ngritjen e infrastrukturës  si dhe nisjen e diskutimeve për të gjetur mënyrën se si do të votojnë, me postë apo në mënyrë elektronike.