PD: Shqipëria është bërë vend i pajetueshëm, ja pse ikin shqiptarët

“Pse Shqipëria, një vend jo në konflikt, dhe që as nuk vuan nga ndonjë epidemi, thatësirë apo krizë tjetër, prodhon më shumë emigrantë se të gjitha ‘vendet e tmerrit’?” Është pyetja që deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi bëri sot në një deklaratë për median duke iu referuar raportit të inteligjencës ushtarake britanike

“Sipas raportit britanik, ndër ata që e kanë kaluar Kanalin Anglez, në një periudhë 6 javore, 13 përqind janë iranianë, 12 përqind afganë, 7 përqind irakenë, ndërsa me 5 përqind janë sirianët dhe eritreasit. Kreun e tabelës e kapin shqiptarët me 40 përqind. 

Duke parë se qeveria manipulon votat, vjedh me inceneratorët dhe fondet e BE, nuk ofron siguri jete për qytetarët, promovon elementët kriminalë në shoqëri, nuk ka prioritet arsimin dhe as shëndetësinë, shqiptari detyrohet të marrë rrugët e botës. 

Kur nga një tokë e bekuar si jona qytetarët ikin, në dyfishin e shifrave në raport me vendet e rajoneve në luftë, atëherë Shqipëria është bërë një vend i pajetueshëm” citon Këlliçi.

Deputeti demokrat e mbylli deklaratën duke u shprehur se qeveria është bërë e padurueshme 

"Vend më të mirë se yni, nuk gjejmë, dhe as nuk duam. Qeveri më të mirë, sigurisht që po" tha Këlliçi.