Maqedoni e Veriut/ Pendarovski pro mbajtjes së referendumit për ndryshimet kushtetuese
Presidenti i Maqedonisë së Veriut ka mbështetur nismën e opozitës për mbajtjen e referendumit për ndryshimet kushtetuese me qëllim mos futjen e bullgarëve në Kushtetutën maqedonase.
Presidenti maqedonas i zgjedhur nga qeveria e socialdemokratëve ka mbështetur propozimin e opozitës së udhëhequr nga VMRO-DPMNE lidhur me ndryshimet kushtetuese.
Stevo Pendarovski, i cili mban postin e kreut të shtetit që prej vitit 2019 ka deklaruar së fundmi se është pro mbajtjes së referendumit për ndryshimet kushtetuese lidhur me futjen e entitetit bullgar si pjesë përbërëse e shtet formimit të Maqedonisë së Veriut, e cila do ta çonte Shkupin drejt hapjes reale të negociatave me Bashkimin Evropian.
Megjithatë 59-vjeçari sugjeron se qytetarët maqedonas nuk duhet të përballen me pyetje që kanë të bëjnë me kontestin bullgar.
"Do të ishte më e udhës që pyetja e referendumit të ishte ‘A doni të shkoni në Bashkimin Evropian, në këto kushte? Pa përmendur marrëveshje apo pika të veçanta," tha ai.
Referendumi u thirr nga opozita në 23 korrik, pas mbajtjes së konferencës së parë politike mes Shkupit dhe Brukselit në 19 korrik, pasi Kuvendi miratoi të ashtuquajturin propozim francez.
Sipas VMRO-DPMNE-së, propozimi francez rrënon identitetin, gjuhën dhe historinë e Maqedonisë së Veriut.
Nga radhët e kësaj force politike kanë thënë se do të nisin konsultimet me ekspertët dhe opinionin publik për hartimin e pyetjes së referendumit.
Për të mbajtur referendum duhet të mblidhen 150 mijë nënshkrime, që pas verifikimit dorëzohen në Kuvend, i cili më pas do të jetë i obliguar të organizojë referendumin.
Por, shumica parlamentare po kërkon mënyra për ta refuzuar një referendum të mundshëm, apo për ta bërë të pavlefshëm.
Ndryshimi i aktit më të lartë juridik për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulë, është kusht për vazhdimin e mëtejmë të bisedimeve apo hapjen e kapitujve mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.