Kryeministri Abazoviç: Muajin tjetër firmosim marrëveshjen me Kishën Ortodokse serbe
Kjo verë pritet të jetë e nxehtë edhe në Mal të Zi. Dritan Abazoviç ka sfiduar hapur presidentin e vendit dhe partitë në koalicionin qeverisës lidhur me marrëveshjen me Kishën Serbe. Sipas shqiptaro-malazezit kompromisit do të firmoset në gusht, edhe pse kjo mund të çojë në rrëzimin e tij.
Shqiptaro-malazezi është i vendosur ta çojë deri në fund agjendën e tij politike me Kishën Ortodokse Serbe, duke firmosur të ashtuquajturën Marrëveshje Themelore.
Të enjten, Dritan Abazoviç ka thënë se qeveria e tij do ta firmosë marrëveshjen me Patriarkanën e Beogradit në muajin gusht.
Deklarata e vendosur e 36-vjeçarit që shërben vetëm prej 3 muajsh si kryeministër i Malit të Zi, vjen një ditë pasi presidenti Millo Gjukanoviç hodhi akuza të rënda ndaj Beogradit, si edhe Kishës Ortodokse Serbe.
I pyetur nga gazetarët për mocionin e mundshëm të mosbesimit nga Partia Socialdemokrate nëse e firmosin marrëveshjen, Abazoviç u shpreh i qetë me partinë në koalicionin qeverisës.
"Ata të mos presin marrëveshjen themelore, por le ta ndërmarrin menjëherë atë që mendojnë nëse është e nevojshme. Ata sillen sikur nuk janë pjesë e ekipit qeverisës, gjithsesi kjo nuk na pengon punën," tha ai.
Marrëveshja e Podgoricës zyrtare me Kishën Ortodokse Serbe është kundërshtuar fuqimisht nga disa parti politike dhe presidenti i vendit Millo Gjukanoviç.
Kundërshtarët e kompromisit me Patriarkanën e Beogradit e akuzojnë Abazoviç për tradhti të interesave të Malit të Zi, ndërsa kisha në shtetin fqinj kërkon pavarësimin nga Kisha Ortodokse Serbe.
Në muajin gusht pritet rrëzimi i mundshëm i qeverisë së Dritan Abazoviç.
Sipas Kushtetutës malazeze mocioni i mosbesimit mund të kërkohet nga 25 deputetë të Kuvendit, partitë në koalicionin qeverisës, apo presidenti i vendit. Të tri këta faktorë janë kundër shqiptaro-malazezit
