Takimi me Blinken, Kurti kërkon më shume investime amerikane në Kosovë
“Jemi duke punuar së bashku për të përcaktuar disa çështje që janë të rëndësishme për SHBA-në dhe shtetin tuaj”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti.
Në një deklarim për media, Osmani tha se kanë biseduar edhe për fuqizimin e subjektivitetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, nevojën e Kosovës që të jetë anëtare e NATO-s, si dhe për "rolin konstruktiv të Kosovës në dialogun me Serbinë".
Në këtë takim ajo tha se kanë biseduar në detaje për disa nga marrëveshjet e arritura në kuadër të këtij procesi, siç është ajo e energjisë dhe shtoi se administrata e SHBA-së ka qenë e qartë që procesi i dialogut të përqendrohet në njohje reciproke, "gjë që është konfirmuar edhe sot gjatë këtij takimi”.
Një çështje tjetër e ngritur në takim sipas saj ishte edhe roli që ka Rusia në destabilizimin Ballkanit Perëndimor nëpërmjet “satelitit të saj të Serbisë”.
“Sekretari Blinken, njësoj sikurse presidenti Biden, e njohin shumë mirë këtë histori të intencave ruse në rajonin tonë dhe në asnjë moment nuk e largojnë vëmendjen e tyre, gjë që na konfirmuan edhe sot, në mënyrë që bashkërisht të punojmë që t’i ndalim këto tendenca për destabilizim në rajonin tonë”, tha Osmani.
Kryeministri Kurti nga ana e tij tha se takimi me Sekretarin e amerikan të Shtetit ishte "shumë i përzemërt".
Ai tha se nga Blinken kanë kërkuar shtimin e investimeve amerikane në Kosovë si dhe rritjen e shkëmbimit tregtarë midis dy vendeve.
"Ne përfituam nga rasti, nga sekretari Blinken të kërkojmë shtimin e investimeve amerikane në Kosovë, por gjithashtu edhe ta rrisim shkëmbimin tregtar mes dy vendeve tona. Edhe në NATO ne e kemi bashkëpunimin shumë të ngushtë me ShBA-në për shkak se mbrojtja është një fushë në të cilën Kosova e ka rritur ndjeshëm buxhetin, synojmë që siguria e Kosovës ta ketë për partner edhe të padiskutueshëm por gjithnjë e më të fuqishëm, pikërisht ShBA-në”, ka thënë Kurti
Nesër do të nënshkruhet kontrata me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit për energji.
