Ambasadori amerikan në Beograd për dialogun Serbi-Kosovë: Bashkëpunim me BE për përparim

Uashingtoni nuk i ka fshehur rezervat për mungesën e progresit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe u ka bërë thirrje dy kryeqyteteve që të zgjidhin mosmarrëveshjet, pasi pa i bërë ato nuk do të mund të hynin në Bashkimin Evropian.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur shqetësim për mungesën e progresit në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës.

Ambasadori amerikan në Beograd, Kristofer Hill u bëri thirrje dy kryeqyteteve që të merrnin vendime të paimponuara nga askush.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

"Unë mendoj se ne të gjithë duhet të bashkohemi dhe të kuptojmë se si të bëjmë përparim. Disa nga ato vendime janë të vështira, por askush nuk i kërkon askujt të zbatojë vendime që nuk janë në interesin e tyre," tha Hill.

Sipas zyrtarit amerikan, dialogu duhet të zgjidhte mosmarrëveshjet mes dy vendeve përpara se dy kryeqytetet të bënin një hap përpara drejt anëtarësimit në BE, pasi sipas tij në situatën aktuale askush në Bruksel nuk do ta donte anëtarësimin e tyre.

Duke folur për situatën në Beograd, i dërguari i Uashingtonit tha se dëshironte që të shihte një qeveri properëndimore.

"Unë do të doja të shihja një qeveri që është e aftë të kapërcejë sfidat dhe që dëshiron të shkojë drejt Perëndimit. Është shumë e qartë se populli i Serbisë e zgjodhi këtë," tha ai.

Megjithatë Hill nuk harroi të përmendte varësinë e Beogradit nga Moska sa i përket gazit rus dhe i bëri thirrje Serbisë që ta rishikonte partneritetin me Rusinë duke e konsideruar si jo të besueshme.