Hulumtim i REL-it: Milionat e Serbisë dhe Kosovës për persona dhe kompani nga lista e zezë e SHBA-së

Individë dhe kompani nga “lista e zezë” e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat u sanksionuan nga Uashingtoni për shkak të dyshimeve për krim të organizuar ndërkombëtar, marrin miliona nga buxheti i shtetit serb, tregon një hulumtim i Radios Evropa e Lirë.

Sanksionet e Departamentit të Financave të SHBA-së, të cilat u shqiptuan në dhjetor të vitit 2021 kundër 13 shtetasve të Kosovës me kombësi serbe dhe mbi 20 kompanive të lidhura me ta, nuk janë të detyrueshme për vendet e tjera.

Megjithatë, pas publikimit të “listës së zezë” të Uashingtonit, kompanitë nuk morën punë nga Qeveria e Kosovës, por Beogradi zyrtar bashkëpunon me to.

Serbia, e cila financon institucionet e saj paralele në Kosovë - komuna, shkolla e spitale - që nga vendosja e sanksioneve amerikane deri në korrik të këtij viti, i dha njërës prej këtyre kompanive më shumë se 20 punë, me vlerë mbi 7.5 milionë euro.

Kompania në fjalë është “Rad 028” nga Zveçani - komunë në veri të Kosovës - në pronësi të Radulle Steviçit, zbulon investigimi i REL

Emri i kompanisë së Steviçit ndodhet në tabelat e ndërtimit në të gjithë veriun e Kosovës, bashkë me stemën e Serbisë.

Për vetëm një ditë, kompanisë së Steviçit iu besua një punë në vlerë mbi 4 milionë euro: ndërtimi i dhjetë objekteve banesore në Mitrovicën e Veriut dhe dy në Zveçan.

Si Steviç, ashtu edhe kompania e tij janë nën sanksionet e SHBA-së, për shkak të lidhjes së dyshuar me Zvonko Veselinovqin.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e etiketuan Veselinoviqin si udhëheqës të një grupi të organizuar kriminal dhe si njërën nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë, ndërsa Millan Radoiçiçin si zëvendës të tij.

Kompanitë në pronësi të Zvonko Veselinoviqit dhe Millan Radoiçiqit, sipas dokumenteve të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, nuk kanë kontraktuar punë në Kosovë që paguhen nga buxheti i Serbisë, as para dhe as pas sanksioneve amerikane.

Por në Serbi, edhe pas këtyre sanksioneve, atyre iu dhanë punë në vlerë prej miliona eurosh. Pesë kontrata për riparimin e rrugëve lokale në jugperëndim të Serbisë iu dhanë kompanisë së tyre “Novi Pazar put”, ndërsa “Betonjerka Aleksinac” prodhon shtylla për linjat e transmetimit për Kompaninë shtetërore të Energjisë Elektrike të Serbisë.

Kush janë Veselinoviç dhe Radoiçiç?

Zvonko Veselinoviq është biznesmen nga veriu i Kosovës, ndërsa Millan Radoiçiq është nënkryetar i Listës Serbe - parti e serbëve në Kosovë, e cila mbështetet nga Qeveria aktuale e Serbisë. Lista serbe është në pushtet në dhjetë komuna të Kosovës me shumicë serbe.

Radoiçiq është në arrati nga autoritetet e Kosovës për shkak të akuzave për korrupsion, ndërsa ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka cilësuar si njërin nga udhëheqësit e strukturave kriminale në veri të Kosovës.

Prokuroria e Kosovës lidh Veselinoviqin dhe Radoiçiçin me vrasjen e politikanit serb nga veriu i Kosovës, Oliver Ivanoviq. Ata janë përmendur si organizatorë të dyshuar të grupit kriminal, por ndaj tyre nuk është ngritur asnjë akuzë, pasi në atë kohë ata kanë qenë në arrati. Ligji i Kosovës nuk e lejon ngritjen e akuzave kundër të arratisurve, përveç nëse ata janë hetuar edhe më parë.

Lista Serbe i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat kundër Radoiçiqit, ndërsa edhe vetë Radoiçiç ka folur për rastin Ivanoviq, duke thënë se ai “nuk ishte miku më i ngushtë” i tij, por se ai “nuk është vrasës” dhe se “nuk ka lidhje me vrasjen” e politikanit.

/Per me shume ne REL/