Kontroll në tregun e lodrave, ISHMT bllokon rreth 2000 produkte jashtë standardeve
Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT), në vijim të kontrolleve për mbrojtjen e konsumatorit, bllokoi një sasi të konsiderueshme artikujsh, kryesisht lodra ujore për fëmijë.
Trupat inspektuese nga kontrollet e ushtruara në kryeqytet bllokuan 21 artikuj të ndryshëm ose rreth 2 000 lodra për fëmijë duke përfshirë komerdare, topa, pistoleta uji, makina plastike, etj.
Nga inspektimi rezultoi se disa prej subjekteve tregtonin produkte që nuk plotësojnë standardet europiane, pra janë të pamarkuara CE, në shkelje të ligjit.
Njëkohësisht artikujt e bllokuar janë të listuara në sistemet e shkëmbimit të shpejtë të informacionit të Komisionit Europian (Safety Gate Portal), si produkte të rrezikshme me ndikim në shëndetin e fëmijëve.
Artikujt e ndaluar paraqesin risk potencial kimik për shkak të përmbajtjes së lartë të ftalateve, risk fizik duke shkaktuar mbytje, prerje apo dëmtime të tjera tek fëmijët.
Markimi CE duhet të jetë i vendosur në mënyrë të paheqshme dhe me përmasa jo më të vogla se 5 mm.



