Vdes në moshën 83-vjeçare aktori i njohur i "Goodfellas"
Aktori amerikan Paul Sorvino, i njohur për rolin e Paulie Cicero në filmin klasik të mafiozëve të vitit 1990, Goodfellas, ka vdekur në moshën 83-vjeçare.
Roger Neal, publicisti i tij, tha se ai vdiq nga shkaqe natyrale në shtëpinë e tij në Indiana.
Gjatë një karriere filmike dhe televizive që filloi në vitin 1970, aktori i nominuar për çmimin Tony ishte më i njohur për portretizimin e tij të policëve dhe gangsterëve. Ai la gruan dhe tre fëmijët.
Në një deklaratë pas vdekjes së tij, gruaja e tij Dee Dee Sorvino tha se "nuk do të ketë kurrë më një Paul Sorvino. Ai ishte dashuria e jetës sime dhe një nga interpretuesit më të mëdhenj që ka zbukuruar ndonjëherë ekranin dhe skenën”.
I lindur në Bruklin në vitin 1939, Sorvino - nëna e të cilit ishte mësuese pianoje - e filloi karrierën e tij në biznesin e shfaqjes me muzikalin "Bajour" në 1964.
Katër vjet më vonë, ai u shfaq në filmin e tij të parë: komedinë e zezë të Carl Reiner të vitit 1970 "Where's Poppa?".
Roli i tij më ikonik erdhi në vitin 1990 në filmin "Goodfellas" të Martin Scorcese, në të cilin ai luajti Paul Cicero, një bos i botës së krimit. Personazhi u frymëzua nga një mafioz i jetës reale me bazë në Bruklin, Paul Vario.
Ai rol, së bashku me dhjetëra episode të "Ligji dhe Rendi", e çimentuan vendin e tij si një kriminel apo polic "i ashpër" në sytë e shumë shikuesve.
Sorvino luajti në më shumë se 50 filma dhe dhjetëra shfaqje televizive.
