Nënshkruhet marrëveshja Moskë-Kiev për eksportet e grurit, Erdogan “ndërmjetësi”: Shmangëm makthin e urisë botërore

Ukraina ka nënshkruar pjesën e saj të marrëveshjes së grurit me Turqinë dhe OKB-në. 

Dokumenti u nënshkrua nga ministri ukrainas i Infrastrukturës Oleksandr Kubrakov, ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres. 

Pas Ukrainës edhe Rusia hodhi firmën në Stamboll. Ministri i Mbrojtjes Serghei Shoigu tha se Moska nuk do të përfitojë ushtarakisht nga hapja e porteve të Ukrainës.

 “Rusia ka marrë përsipër detyrimet që shprehen qartë në këtë dokument”, tha Shoigu. 

Marrëveshja e grurit e nënshkruar për të lejuar eksportin e grurit përmes korridoreve të sigurta në Detin e Zi parashikon lirimin nga tre porte ukrainase.

Këtë e shpjegoi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, duke ilustruar marrëveshjen përfundimtare të arritur në Stamboll mes Moskës, Kievit dhe OKB-së, me ndërmjetësimin e Turqisë.

"Kjo marrëveshje është një fener në Detin e Zi, komentoi numri një i Kombeve të Bashkuara, dhe shpresojmë se do të na drejtojë drejt paqes".

Ndërsa presidenti turk Erdogan, duke komentuar nënshkrimin e marrëveshjes në Stamboll për zhbllokimin e grurit tha se "sot është një ditë historike, ne jemi krenarë për rolin tonë në këtë nismë që ka zgjidhur krizën botërore të ushqimit. Marrëveshja ka të bëjë me të gjitha kombet e botës, nga Afrika në Azi, dhe së bashku po shmangim makthin e urisë globale".