Parlamenti i Kosovës voton Byronë për konfiskimin e pasurisë së zyrtarëve
Në Kuvendin e Kosovës është votuar në lexim të parë projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Ky projektligj ka kaluar vetëm me votat e pushtetit, 58 vota për dhe 3 abstenime, dhe pa mbështetjen e opozitës.
Ndër deputetët që ka abstenuar është edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Me këtë projektligj parashihet që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse ekzistojnë dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme.
Përveç tyre, verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do të bëhet edhe për anëtarët e familjes së tyre dhe palëve të treta, që nënkupton personat te të cilët dyshohet se është bartur pasuria e zyrtarëve publikë.
Kryeministri Albin Kurti tha se është e rëndësishme që të takohen si subjekte politike.
“Është e domosdoshme që të kemi sa më shumë konsultime edhe si subjekte politike. Përveç kësaj, duhet ta bëjmë ndarjen e qartë të gjërave që nuk janë të njëjta”, duke shtuar se byroja dhe vettingu nuk janë e njëjta gjë.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se në lexim të dytë, do të adresohen edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia e tij nuk e mbështet Qeverinë, nëse nuk ka gjithëpërfshirje.
“Ju keni kërkuar gjithëpërfshirjen edhe ne po kërkojmë gjithpërfshirje... Ju, kryetar i Kuvendit, keni marrë përsipër dërgimin e këtij ligji në Komisionin e Venecias dhe këtë ndërmarrjen tuaj e kemi vlerësuar këtu në Kuvend”, ka thënë ai, duke shtuar se “jam vullnetar në verifikimin e pasurisë, vërejtjet janë për të mbrojtur rendin kushtetues dhe për ta bërë reformën njëmend”.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se për reformën në drejtësi është i rëndësishëm konsensusi politik.
“Konsensusin për reformën në drejtësi e shoh jashtëzakonisht të rëndësishëm... mendoj që këtu edhe Qeveria duhet të reflektojë”, ka thënë Tahiri.