Totti-Blasi, çifti "mbretëror" që ndryshoi stilin e Italisë (Fotot)
Ndarja e Francesco Totti-t nga Ilary Blasi i ka dhënë fund një epoke. Jo vetëm futboll dhe spektakël por shumë më shumë, ata ishin çifti që në Itali cilësohej si "mbretëror".

20 vite pasion, modë dhe gjeste e fjalë që mbeten në histori, duke nisur qe nga viti 2002 kur me bluzën "6 unica" Totti ia dedikonte golin e derbit, të fejuarës së tij.
Tre vite më pas erdhi martesa në stilin unikal me 400 të ftuar. Italianët ndoqën nga ekrani ceremoninë ku Blasi kishte veshur një fustan Armani dhe në atë kohë ishte shtatzanë me fëmijën e parë të çiftit. Veshja e Tottit në stil mbretëror dhe flokët e gjatë u bënë një trend për shumë vite.

Edhe në plazh me sjelljen dhe veshjet e tyre ata janë ndër më të kopjuarit. Veshjet plot ngjyra, bikinit e Blasit, dashuria dhe lojërat me fëmijët...të gjithë dëshironin të ishin si ata.


Vite më parë, për të celebruar në përjetësi dashurinë ata vendosën të bënin tatuazh inicialet FI në krahun e Tottit dhe IF në dorën e bukuroshes. Totti ka të shkruar gjithashtu edhe "Stephany" që eshte emri i dytë i Blasit. Ky eshtë një tjetër trend i kopjuar nga shumë çifte në Itali.

Christian, Channel dhe Isabel janë emrat e fëmijëve të çiftit që padyshim janë zgjedhur nga qindra-mijëra italianë gjatë 17 viteve të fundit.

