Mal i Zi, qeveria në provë/ Gjukanoviçi heq mbështetjen, partia e tij ka 29 deputetë në Kuvend
Qeveria e Dritan Abazoviçit do të kalojë provën e zjarrit në ditët në vijim nëse e ka kuorumin për të qëndruar në pushtet. Për shkak të marrëveshjes së firmosur me Kishën Serbe, për të rregulluar marrëdhëniet mes shtetit malazez dhe Kishës, partia më e madhe në Kuvend, ajo e Milo Gjukanoviçit, i ka hequr mbështetjen.
Qeveria e Abazoviçit në Mal të Zi është në një provë të fortë nëse mund të qeverisë vendin pas firmosjes së marrëveshjes me Kishën Serbe.
Partia më e madhe në vend, që ka 29 ulëse në Kuvend, ajo e Milo Gjukanoviçit, ka deklaruar se nuk e mbështet më qeverisjen e Abazoviçit.
Partia e presidentit Gjukanoviç thotë se marrëveshja me Kishën Serbe kërcënon interesat shtetërore të Malit të Zi. Sipas tyre, qeveria ndryshoi kursin politik për të cilin ishte rënë dakord me formimin e saj.
“Qeveria braktisi detyrën prioritare të përmbushjes së detyrimeve nga agjenda e integrimit evropian dhe me nguti, në mënyrë të papërgjegjshme dhe pa u konsultuar me publikun profesional, bëri marrëveshje me Kishën Ortodokse, duke i shkaktuar dëm të pallogaritshëm interesave shtetërore të Malit të Zi”, u tha në njoftimin e DPS-së.
Për rastin ka reaguar kryeministri Abazoviç që ka shkruar në Tëitter se “Është përgjegjësi kur nuk ke mundësi ta ndihmosh shtetin, të paktën mos e vështirëso situatën. Do të shohim se cili është qëndrimi i shumicës së deputetëve”.
Partia e Gjukanoviçit është forca kryesore politike që ka mbështetur Qeverinë e pakicës së Abazoviqit, e cila u formua më 28 prill pas rënies së qeverisë së Krivokapiçit.
Debati ka nisur pasi qeveria e Malit të Zi miratoi të premten e 8 korrikut Marrëveshjen Themelore për të rregulluar marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe.
Për miratimin e Marrëveshjes Themelore votuan 13 ministra, pesë ishin kundër, ndërsa tre ministra nuk morën pjesë në seancë.
Kisha Ortodokse e Malit të Zi është nën Kishën Autoqefale të Serbisë. Ajo synon pavarësimin nga Kisha Ortodokse Serbe. Vitin e kaluar kishte protesta të dhunshme në Mal të Zi edhe për këtë shkak.
