Përkujtimi i gjenocidit të srebrenicës, BE: Në Evropë s’ka vend për mohimin e gjenocidit
Masakra e Srebrenicës do të përkujtohet si turpi i Evropës, kanë thënë zyrtarët e lartë të BE-së në një deklaratë të përbashkët. Të hënën përkujtohet 27 vjetori i vrasjes së 8000 burrave nga serbët në Srebrenicë, vetëm e vetëm pse ishin myslimanë. Ky akt gjenocidal është tentuar të retushohet nga Beogradi, por për BE-në mohimi i gjenocidit s’ka vend në Evropë.
11 korriku shenjon datën përkujtimore të gjenocidit të tmerrshëm të Srebrenicës ku serbët vranë mbi 8000 burra myslimanë të Bosnjes.
Kjo ishte masakra më e rëndë e ndodhur në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, ku forcat serbe të udhëhequra nga Ratko Mlladiç hynë në Srebrenicë dhe kryen masakër, veçse ishin myslimanë.
Vitet e fundit ka pasur një tentativë për retushim të kësaj historie tragjike nga Republika Srpska dhe Beogradi.
Ndërkohë, teksa Beogradi mundohet ta retushojë të shkuarën, zyrtarët më të lartë evropianë kanë reaguar për këtë 27 vjetor të përkujtimit të gjenocidit. “Në Evropë nuk ka vend për mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell dhe komisionerit për Zgjerim Oliver Varhely.
“Ne qëndrojmë së bashku, në pikëllim, me të afërmit dhe miqtë e tyre që i mbijetuan gjenocidit. Është më shumë se kurrë detyra jonë të kujtojmë gjenocidin e Srebrenicës, si pjesë e historisë sonë të përbashkët evropiane”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Sipas Borrell dhe Varhely paqja nuk mund të merret si e mirëqenë. Ata sollën në vëmendje edhe sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.
“Agresioni i pajustifikuar dhe i paprovokuar i Rusisë kundër Ukrainës ka rikthyer një luftë brutale në kontinentin tonë”, shkruajnë zyrtarët në deklaratë.
“Në Srebrenicë, Evropa dështoi dhe ne jemi përballur me turpin tone”, thuhet në deklaratë.
Bosnja vijon të mbetet ende një vend i paralizuar nga kriza politike dhe, sipas ekspertëve, një fuçi baruti në Ballkan.
Lidhja e ngushtë e Dodikut të Republikës Srpska me Rusinë, tentativa e tij për ta shpërbërë shtetin e Bsonjes, shihet me shumë dyshim nga Perëndimi si ndërhyrje ruse për destabilizim në Ballkan.