BE dhe SHBA: Jemi pro propozimit francez, presim vendim historik nga parlamenti maqedonas

Dy ditë përpara se propozimi francez të shkojë në Parlamentin maqedonas, Brukseli dhe Uashingtoni përmes një deklarate të përbashkët i bëjnë thirrje Shkupit ta pranojë kompromisin e Parisit.

Dy kryediplomatët e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara kanë inkurajuar Maqedoninë e Veriut që pranojë propozimin francez në mënyrë që të hapen negociatat me Brukselin dhe rrjedhimisht edhe t’i japë dritën jeshile edhe Tiranës zyrtare.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit, Joseph Borrell dhe sekretari i Shtetit, Anthony Blinken të cilët morën pjesë në samitin e G20 në Indonezi thanë përmes një deklarate të përbashkët se e mbështesin propozimin e Parisit për heqjen përfundimtare të vetos bullgare.

“Ne mirëpresim propozimin e kompromisit që merr parasysh interesat dhe shqetësimet e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, bazuar në respektin, besimin dhe mirëkuptimin reciprok.”

Ndërsa çështja ka përçarë palët politike në Shkup, dy diplomatët shprehen se kanë besim te ligjvënësit maqedonas që nuk do të bëhen pengesë e perspektivës evropiane të vendit.

“Vendimi sovran i parlamentit të Maqedonisë së Veriut do të jetë i rëndësishëm për të ecur përpara. Fryma e kompromisit konstruktiv, mbi të cilin bazohet integrimi evropian, duhet të vazhdojë të frymëzojë të gjithë.”

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriu Talat Xhaferri tha se pret që deputetët maqedonas të diskutojnë për propozimin francez i cili ka nxitur një frymë përçarje mes qeverisë dhe partisë më të madhe opozitare në vend VMRO-DPMNE.

Këta të fundit e hedhin poshtë fuqimisht propozimin e Parisit, pasi sipas tyre ai dhunon identitetin maqedonas.