Serbia kërcënon Kosovën me ‘paqe’: Albin Kurti të tregohet i kujdesshëm në veprimet e tij
Bërja bashkë e komunave serbe në një komunitet të veçantë është kusht i pakontestueshëm i Beogradit ndaj qeverisë Kurti në dialog. Serbia i bën thirrje Prishtinës që të tregohet e kujdesshme me veprimet e saj.
Beogradi i ka bërë thirrje qeverisë së Albin Kurtit që të tregohet e kujdesshme në lëvizjet që bën.
Thonë që duan të ruajnë paqen, por kërcënimet e tyre ngjajnë më shumë si paralajmërim lufte.
Së fundmi kreu i të ashtuquajturës, zyrë serbe për Kosovën dhe njëherazi kryenegociator në dialog, Petar Petkoviç, njësoj si lideri i shtetit të tij pretendon se qeveria në Prishtinë do të ndërmarrë hapa pushtimi ndaj veriut të vendit.
" Prishtina duhet të mendojë me kujdes për lëvizjet e saj, mesazhi i Beogradit për komunitetin ndërkombëtar është që të konsultohet me kryeministrin Albin Kurti dhe ta kthejë atë në dialog. Terrori i Kurtit ndaj serbëve në Kosovë vazhdon, ai refuzon dialogun, shkel marrëveshjet, përpiqet të poshtërojë serbët në Kosovë dhe se është absolutisht i vendosur ta çojë vendin në destabilizim," tha ai.
Zyrtari serb këmbëngul se një nga kërkesat e forta të Serbisë nëse Kosova kërkon normalizim të marrëdhënieve është i ashtuquajturi asociacion i komunave me shumicë serbe.
"Askush të mos mendojë se Beogradi mund ta harrojë asociacionin, ai është një mekanizëm institucional për realizimin e të drejtave kolektive të popullit serb në Kosovë. Çdo gjë nga Brukseli duhet të zbatohet, asociacioni i komunave serbe nuk është formuar prej 3367 ditësh që kur u ra dakord për t’u formuar. Do të numërojmë çdo ditë derisa të formohet," tha ai.
Qeveria e Kosovës ka shprehur vullnet për themelimin e unifikimit të komunave me shumicë serbe, pas arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi në vitin 2015 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Megjithatë Gjykata Kushtetuese e vendit konstatoi se parimet nuk ishin në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të bëjë bashkë dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë është serbe, si në Mitrovicën e Veriut, Graçanicë, Ranillug, Zveçan, Kllokot, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviç, Shtërpcë dhe Partesh.