A do të votojnë emigrantët në 2025? Celibashi: Nëse nuk realizohet, e pajustifikueshme për politikën

KQZ do të bëje të mundur platformën për regjistrimin e emigrantëve me adresat e sakta në shtetet që jetojnë, ndërsa për mënyrën se si do të votojnë në 2025 me postë apo online, kjo do të mbetet në interesat e partive politike. Pavarësisht kërkesave të partive, Celibashi tregon që llogaritja e votës së emigrantëve në një zonë të posaçme është e pamundur pasi nuk e lejon kodi.

Deri në fund të korrikut Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve do të ketë gati platformën për regjistrimin e shqiptarëve të diasporës që duan të ushtrojnë të drejtën e votës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Një nga alternativat më të mundshme është ngritja e një sistemi nga KQZ.

Ilirjan Celibashi: Jemi duke finalizuar aktin që ka të bëjë me proceduarat e regjistrimit dhe të identifikimit të atyre që banojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë adresë të përhershme atje por duan të regjistrohen për të votuar atje ku janë.

Përsa i përket çështjes se si do të votojnë emigrantët, Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi mendon se dy mënyra janë më të sigurta.

Ilirjan Celibashi: Qoftë votimi me postë, qoftë votimi përmes internetit, ose përmes internetit i dërgimit dhe i marrjes së fletës së votimit por në këtë rast fleta e votimit plotësohet fizikisht. I ofron të gjitha garancitë nga pikpamja teknike.

Edhe nëse në 2025 emigrantë do të lejohen të votojnë aty ku jetojnë  ata nuk mund të kenë përfaqësuesit e tyre në Parlament, pasi kodi aktual dhe Kushtetuta nuk e lejon.

Ilirjan Celibashi: Nuk ka një zonë të 13-të. Votuesit që jetojnë jashtë republikës së Shqipërisë nuk kanë vende të rezervuara në Kuvendin e Shqipërisë. Vota e atyre që banojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë do të shpërndahet në votat e qarqeve ku ata kanë regjistrin e gjendjes civile.

Për Celibashin vota e emigrantëve është plotësisht e realizueshme, pengesa e vetme është bllokimi për interesa politike.

Ilirjan Celibashi: Asnjë prej faktorëve institucional dhe politik nuk mund të kenë një justifikim në rast se ne në zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk e realizojmë këtë.

Për KQZ ky proces duhet të ketë një rezultat deri në vjeshtën e vitit të ardhshëm, pasi me pas të ngrihet e gjitha infrastruktura e nevojshme për të bërë të mundur dhe të sigurt votën e diasporës.