Dialogu me paterica/ Vuçiç refuzon rezolutën e Parlamentit Evropian për njohjen e Kosovës

Marrëveshja për energjinë elektrike mes Prishtinës dhe Beogradit mund të jetë e fundit për muajt në vijim. Presidenti serb ka refuzuar rezolutën e Parlamentit Evropian për të njohur Kosovën si edhe mohon të takohet me Kurtin këtë muaj edhe pse BE po përpiqet të caktojë një datë për të.

Dialogu Kosovë-Serbi e ka zbehur shpresën për një zgjidhje konsensuale mes dy vendeve në mes të kontestit të njëra-tjetrës dhe pritshmërive të Bashkimit Evropian për një njohje reciproke.

Megjithatë i dërguari i Posaçëm i Brukselit për dialogun mes Prishtinë dhe beogradit, Mirosllav Lajçak shpreson se gjatë këtij muaji mund të mbahet një takim mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Duke komentuar samitin e dështuar mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, diplomati evropian tha se për të hyrë në BE duhet të zgjidhen fillimisht mosmarrëveshjet mes vendeve të rajonit.

"Është e vështirë të bindësh liderët evropianë se je gati të funksionosh në një familje prej 27 anëtarësh, kur ke probleme në një familje prej gjashtë vetash," tha ai.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç megjithatë mohoi një deklaratë të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani se lideri serb do të takohej me Kurtin së shpejti.

Dy liderët janë takuar vetëm dy herë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes vendeve fqinje.

Hera e fundit ka qenë një vit më parë.

Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë përkeqësuar pasi Qeveria e Kosovës më 29 qershor, mori një vendim për ri-regjistrimin e makinave me targat që lëshojnë autoritetet serbe në targa RKS.

Të mërkurën, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë përmes së cilës i bëri thirrje Prishtinës dhe Bepgradit që ta përmbyllin marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve me njohje reciproke.

Lideri serb e refuzoi.

Në një intervistë për mediet serbe ditën e mërkurë, Aleksandar Vuqiq tha se Beogradit as nuk i shkon në mendje dhe as që e merr në konsideratë njohjen e Kosovës.