Politologu kritik ndaj propozimit francez: Gozhdë në procesin e zgjerimit të BE në Ballkanin Perëndimor

Një gozhdë në procesin e zgjerimit. Kështu e sheh politologu, Altin Gjeta, propozimin francez për zgjidhjen e mosamarrëveshjes mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Në një intervistë me skype për Rtv Ora me gazetarin Sebastian Zonja ai nuk nguron ta krahasojë me  marrëveshjen Kosovë-Serbi për Asocacionin e komunave serbe në veri të Kosovës, e cila ka mbetur vetëm në letër për shkak se cënon direkt shtetësinë e Kosovës.

Gjeta: Bullgaria synon që ta bëjë paketën pjesë të kuadrit negociues të BE me Maqedoniëne Veriut. Do ishte problematike, për herë të parë një problem bilateral midis dy shteteve synohet të inkuadrohet në kuadrin negociues të gjithë Unionit. Rrezikon ta bëjë procesin negociues të Maqedonisë së Veriut me BE një proces të pafundëm. Kjo paketë dhe nëse miratohet nga Maqedonia e Veeriut do të mbetet e paimplementueshme siç ka ndodhur me Asocacionin e komunave serbe në veri të Kosovës. Propozimin francez e shoh më shumë si një gozhdë në procesin e zgjerimit të BE në Ballkanin Perëndimor sesa një zgjidhje të problemit.

Gjeta thotë se trajtimi i Shqipërisë në një paketë me Maqedoninë e Veriut për integrimin është kthyer problematik por ndarjen e sheh të vështirë.

Gjeta: Ky është një bashkim që është kthyer problematik. Maqedonia e Veriut është bllokuar nga Bullgaria dhe rrjedhimisht është bllokuar dhe Shqipëria. Ka vend për tu diskutuar ideja e ndarjes së dy vendeve nëse problemi mbetet por është proces i vështirë. Ndarja e dy vendeve do dëmtonte kredibilitetin e BE dhe procesin e zgjerimit. Unioni e ka të vështirë ta pranojë dhe të qëllojë veten me këmbë.

Sipas tij, me këtë ritëm Shqipërisë do ti duhen minimumi edhe 20 vite të tjera për tu bërë anëtare me të drejta të plota në BE.