Lumë gjobash për shkelësit në aksin e ri rrugor Kardhiq-Delvinë, 20 patenta të pezulluara në 48 orë
Policia rrugore ka pezulluar 20 leje drejtimi përgjatë 48 orëve të fundit në aksin e ri rrugor Kardhiq - Delvinë për shpejtësi mbi 30 km/h mbi normën e lejuar, pasi shpejtësia e lejuar në këtë aks është pjesërisht 80 km/h dhe në pjesë të tjera 60 km/h.
Janë marrë gjithashtu 95 masa administrative për qarkullim me shpejtësi, por pa sanksionin e pezullimit të lejes së drejtimit; 67 masa administrative për parakalime të gabuara, 54 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit dhe 50 masa për mospërdorim të rripit të sigurimit.
Njësia Operacionale e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Policinë Rrugore të Gjirokastrës dhe Delvinës, vijojnë monitorimin 24/7 me makinat inteligjente, radarët automatikë dhe dronët “edukues”.
Gjatë monitorimit të pandërprerë, makinat inteligjente, dronët dhe radarët automatikë, në aksin e ri Kardhiq-Delvinë kanë konstatuar qindra shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore.

